Ligji antimafia, hetim edhe korrupsionit pasiv

Në kuadrin e projektit “Pameca IV”, të financuar nga Bashkimi Europian për reformimin e policisë dhe konsolidimin e Kapaciteteve për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, propozohen së fundmi disa ndryshime në ligjin “Antimafia” që synojnë hetimin edhe të korrupsionit pasiv. Gazeta Shqiptare raporton se ndryshimi i propozuar është pikërisht shtesa, për të hetuar jo vetëm korrupsionin aktiv, por edhe atë pasiv. Në këtë pikë, në qëndrimin e vet “Euralius” thotë se çdo vepër korrupsioni, aktive dhe pasive, janë anë të së njëjtës monedhë. Më tej shikohet për t’u ngushtuar rrethi i personave të afërm me shtetasin nën hetim. “TCH” raportoi dje se ndërkohë misioni “Euralius” ka vënë në dijeni Presidentin, Bujar Nishani, Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani si edhe zyrtarë të tjerë nga fusha e së drejtës, se ndryshimet në ligjin “antimafia” duhet të përshtaten në procesin e reformës në drejtësi, me hartimin e Kodit të Procedurës Civile dhe Penale.Ndryshimet parashikojnë që të përfshihen në hetim pasuror bashkëshortët, fëmijët, vëllezërit, motra dhe bashkëjetuesi, ndërkohë që lihen jashtë vjehrri e vjehrra, njerku e njerka, nipërit e mbesat. “Euralius” e mbështet këtë propozim me agrumentin se, në këtë mënyrë shmanget shtrirja e tepruar e subjekteve, e po ashtu shmangen hetimet e ndërlikuara, që në praktikë zgjasin e kthehen në komplekse, e rrallë sjellin konfiskime. Për herë të parë, në ligjin “antimafia” po diskutohet të futen për llogari të procesit të sekuestrimit e konfiskimit të pasurive, që vijnë nga krimet e parashikuara në ligj, edhe dëshmitari dhe eksperti, të cilët mund të asistojnë në proces.

Leave a Reply