Ministrja e Jashtme e Holandës, Sigrid Kaag, dha dorëheqje, për shkak të menaxhimit të krizës së evakuimit nga Afganistani, muajin e kaluar.
Ajo është zyrtarja e parë perëndimore që tërhiqet, si pasojë e kaosit që ndodhi pasi militantët talibanë morën nën kontroll Afganistanin, më 15 gusht.
Deputetët holandezë miratuan një mocion censure ndaj saj, duke thënë se Qeveria ishte shumë e ngadalshme në përgjigje dhe se la pas shumë afganë që duhej të iknin.
Kaag tha se qëndron pas veprimeve të saj, por pranoi vendimin e deputetëve.
Holanda arriti të evakuojë rreth 2,000 njerëz nga Afganistani në dy javët e fundit të gushtit.
Por, qindra afganë që kanë punuar me trupat holandeze, u lanë atje.
Afganët që kanë punuar me forcat ndërkombëtare gjatë 20 vjetëve të fundit, kërcënohen nga talibanët.
Shtetet perëndimore kanë tërhequr mijëra nga Afganistani, por një numër i madh ka mbetur atje.
Kaag pranoi se Qeveria holandeze ka vepruar në bazë të “supozimeve të gabuara”, por tha se ngritja e shpejtë e talibanëve në pushtet i ka habitur të gjithë, “përfshirë edhe vetë talibanët”.
Këtë javë, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, i cili u kritikua shumë për vazhdimin e pushimit pasi Kabuli ra në duart e militantëve, u zëvendësua në një riorganizim të Qeverisë.