Ministria e kulturës është një nga digasteret më të rëndësishme të një qeverie, të një shteti dhe të një kombi. Shoqëritë, me një traditë të lashtë politike e kulturore, nuk e kanë problem që të bashkëqeverisin me përfaqësues të bashkësive etnike, t’u japin atyre madje edhe ministrinë e ushtrisë apo të policisë, por ama, ministrinë e kulturës e menaxhojnë gjithnjë vetë. Sepse, ministria e kulturës në fakt përceptohet si akropoli i identitetit kulturor të një kombi.
Në shtetet që karakterizohen nga shoqëritë me një shovinizëm të kamufluar me petkun demokratik, ministria e kulturës përveç që shërben si levë për ta lartësuar “kombin me vlerë”, njëkohësisht shërben edhe si grazhd për lartësuesit e këtij kombi! Në të tillë grup shtetesh u përfshi edhe Maqedonia e Veriut. Në emër të ngritjes dhe të zhvillimit të identitetit kulturor u kryen qindra abuzime; ky digaster, për këto tri decenie të sistemit demokratik, u bë i vetmi segment i pushtetit në të cilin të gjitha abuzimet dhe keqpërdorimet e majme financiare merren dhe llogariten si shpenzime financiare për të mirën e kombit! Në emër të “kësaj të mire” u abuzua edhe me Ligjin për kulturë, u anashkaluan institucionet me relevancë shtetërore e politike gjatë realizimit të projektit naiv “Shkupi 2014”, u sponsorizua heshtja e elitës intelektuale, u derdhën para për relativizimin e ndonjë reagimi apo kritike intelektuale, gati të gjitha mediat elektronike dhe ato të shkruara u radhitën në “togun e kulturalizimit” dhe nën një komandë pushteti; partnerëve qeveritarë, në këmbim të heshtjes, iu lejua qasja në livadhin e tenderëve me kullosë të varfër.
“Shkupi 2014”! Skenari më megaloman i një pushteti në nisje të projektit për identitet të ri kulturor i cili kombin do ta shartojë te rrënjët e antikitetit, pavarësisht se cilës etni i përkasin ato rrënjë. Ky shartim i krijoi mundësitë e grabitjes së fondeve të majme qeveritare. Kjo grabitje u bë e justifikueshme nga “pushteti i plotëfuqishëm” që u demonstrua edhe me anashkalimin e organeve më të larta shtetërore. Projekti “Shkupi 2014” ngërthente në vete dhjetra objekte monumentale si dhe vepra arti ngritja e të cilave kushtëzohej drejtpërdrejt nga votat në parlament. Meqë aty duhej edhe shumica e votave të shqiptarëve, u anashkalua ky organ duke e futur në lojë një komunë me shumica maqedonase (Komuna Qendër) e cila me ligj i ka të përcaktuara zhvillimet e aktiviteteve kulturore por jo edhe të hartimit apo të zbatimit të politikave të larta kulturore që shkojnë ekskluzivisht në të mirë të kombit shumicë. Çuditërisht, katër vite më vonë, më vitin 2013, populli do ta ndëshkojë pushtetin aktual pikërisht në këtë Komunë, dhe jo për shkak të ndërrimit të identitetit kulturor por për transparencë, gjegjësisht për një superkontroll të mënyrës së punës së kësaj komune që me lehtësinë absolute pranoi të punojë si vegël e pushtetit.
Se bëhej fjalë për manipulime të rënda madje me përmasa të kriminalitetit të madh, flet edhe frika e vetë pushtetit që u manifestua në protesta kundër qëllimit të organeve komunale për të hedhur sy mbi veprimet e jashtëligjshme të aparatçikëve të pushtetit që po zhvaste asetet shtetërore në emër të kombit. Përpjekjet e një qeverie për pushtetëzim të çdo gjëje në emër të kombit janë përpjekje tashmë të para në politikat hitleriane dhe, ndonëse me fuqinë imperatoriane, gjithnjë kanë dështuar. Megjithatë, fama e përkohëshme kombëtare si pasojë e atij pushtetëzimi absolut, mbetet përjetë si një fanar që hedh dritë mbi platëformën kombëtare që është “më e shenjtë se çdo gjë tjetër e shenjtë”. Mbi shovinizmin etnik!
(vazhdon)
https://www.facebook.com/104112788651300/posts/136254312103814/