Një ditë para vizitës së Han
Burime jozyrtare: Gruevski ka dorëzuar dorëheqjen, zyrtarizohet të shtunën
Një ditë para se komisioneri Johanes Han të vizitojë vendin, informacione jozyrtare nga Shkupi thonë se kryeministri Nikola Gruevski ka deponuar dorëheqjen gjatë orëve të vona mbrëmë, e cila pritet të bëhet zyrtare të shtunën.
Këto informacione vijnë pas vizitës së Kryeministrit në SHBA dhe vizitës së tre eurodeputetëve në Maqedoni.
Eurokomisioneri, Johanes Han, do të bisedojë me të gjitha palët politike që nënshkruan marrëveshjen gjatë muajve të fundit të 2015.
15 janari është afati i fundit që kryeministri i vendit Nikola Gruevski të japë dorëheqjen, të ngrihet qeveria teknike, të zgjidhet kryeministri i përkohshëm nga vetë partia e tij VMRO-DPMNE dhe më pas vendi të nisë proçesin e zgjedhjeve qe mbahen në muajin prill.
Vizita e Han pritet të qartësojë gjithashtu edhe zërat për shtyrje të zgjedhjeve, të cilat janë programuar të mbahen më 24 prill.
Kriza në Maqedoni nisi që pas publikimit të përgjimeve nga opozita në shkurt të 2015, në qendër të së cilave ishin aferat korruptive të Kryeministrit maqedonas.
Gruevski, i cili ka mbajtur pushtetin që nga viti 2006, këmbëngul se përgjimet janë të montuara dhe se sipas tij janë shërbimet e huaja që kërkojnë të destabilizojnë vendit.