Prioritetet e Shqipërisë për muajin qershor i bashkohen prioriteteve tona të përgjithshme për mandatin tonë në Këshill dhe janë të lidhura me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit, u shpreh Feit Hoxha, në fjalën e parë pasi Shqipëria mori presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB.
“Është privilegj dhe nder për mua t’ju drejtohem në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurimit, i pari për vendin tim, Shqipërinë, dhe të ndaj me ju pikat kryesore të programit të punës së Këshillit për muajin qershor.
Takimi me ju është një moment i rëndësishëm për çdo presidencë dhe nuk është e çuditshme që pas miratimit formal të Programit të Punës, kjo është ngjarja e parë me rëndësi. Më lejoni t’ju them se, përveç kolegëve në Këshill, ju jeni në fakt ndër ata që takojmë dhe përshëndesim çdo javë në këndin tuaj të privilegjuar medietik.
Dëshiroj t’ju bëj një nderim të gjithëve, individualisht dhe kolektivisht, për punën dhe përpjekjet tuaja, për profesionin tuaj, për këtë detyrë fisnike të informimit të opinionit publik për punën e Këshillit të Sigurimit. Ne jemi dhe do të mbetemi të përkushtuar ndaj një Këshilli të Sigurimit efikas dhe transparent gjatë këtij muaji, dhe unë pres me shumë dëshirë për një marrëdhënie të shëndetshme dhe me përfitim reciprok. Dhe faleminderit që nuk shkruani që ndonjëherë ne, shtetet anëtare përfundojmë duke e përsëritur veten, pasi është në mënyrë të pashmangshme pjesë e jetës komplekse të multilateralizmit, dhe veçanërisht, e jetës dinamike të Këshillit të Sigurimit që unë e quaj “vendi ku dritat kurrë nuk fiken”.
Qershori konsiderohet tradicionalisht një muaj i ngarkuar. Ky vit nuk bën përjashtim. Programi i Punës për muajin qershor është i ngjeshur“, e nisi fjalën e tij Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.
Hoxha është ndalur edhe në debatin mbi llogaridhënien që do të drejtojë në 2 Qershor kryeministri Edi Rama.
“Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë. Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit. Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda.
– Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.
– Ka një urgjencë për të vepruar, tani, në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta:o për gratë e dhunuara të Kosovës, o për nënat e pikëlluara të Bosnjës, o për fëmijët e Ukrainës, o për viktimat pa emër në Tigray, o për Azara në Afganistan, o për Yazidët në Irak, o për Rohyngias, o për të burgosurit politikë në Myanmar dhe në Sudan, o për të arrestuarit në Siri o për të gjithë gazetarët e vrarë në krye të detyrës; o për këdo, kudo, të cilëve u janë mohuar të drejtat, e ardhmja e të cilëve është varrosur, ëndrrat e të cilëve janë shkatërruar nga abuzimi.”– tha Ambasadori Hoxha gjatë fjalës së tij.