Suksesi europian i Erkand Qerimajt

Merr medalje ari në stilin e shkëputjes

Erkand Qerimaj fitoi medaljen e artë në shkëputje në Europianin e Peshëngritjes që po mbahet në Tiranë. Pjesëmarrës në baterinë B, Qerimaj ngriti 150 kg dhe medalja për të ishte një strategji e menduar mirë.

Të njëjtën peshë 150 kg ngriti edhe gjeorgjani Asanidze, por medalja shkon për Qerimajn sipas rregullit se cili është peshëngritësi i parë që arrin me sukses këtë peshë të shtangës. Në shtytje Qerimaj nuk realizoi asnjë nga provat duke mos u klasifikuar për në dygarësh.

Nga ana tjetër për Briken Çaljen, ky europian ishte i dështuar. Ai nuk mundi të realizonte asnjë nga tre provat që kishte në dispozicion në stilin e shkëputjes, në peshën 73 kg.

Në baterinë A, Çalja ishte pretendenti kryesor. Ai u ngjit në pedanë i fundit nga të gjithë garuesit dhe në të trija provat synoi të ngrejë 151 kg, por pa sukses. Një paraqitje për t’u harruar kjo e shtangistit kuqezi.

Leave a Reply