Agresioni rus po nxit ngrohjen globale

Sipas një raporti të ri nga studiuesitkryesorë të ndryshimeve klimatike, bota po përjeton një rritje të frikshme të ngrohjes globale për shkak të karburanteve fosile.

Çmimet e larta të energjisë, të nxitura nga pushtimi rus i Ukrainës, kanë çuar në investime të reja në naftë dhe gaz. Një raport nga Climate Action Tracker thotë se bota rrezikon që të ketë rritje të temperaturave.

Ekziston një konsensus i gjerë që emetimi i gazrave të prodhuar nga lëndët djegëse fosile duhet të reduktohet në mënyrë dramatike deri në vitin 2030. Kjo shihet si rruga e vetme që do të mbante rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë dhe do të shmangte efektet më të dëmshme të ndryshimeve klimatike.

Raporti vjen ndërsa diplomatët do të takohen në konferencën e OKB-së për ndryshimet klimatike mes shqetësimeve të reja për sigurinë e energjisë.

I dërguari i SHBA-së për ndryshimet klimatike, John Kerry gjatë një interviste për BBC u shpreh se lufta në Ukrainë nuk duhet të përdoret si justifikim për të zgjatur mbështetjen globale te qymyri. Ai kritikoi një numër vendesh të mëdha për mosrespektimin e premtimeve që ata bënë në samitin e klimës në 2021.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shumica e vendeve perëndimore kanë kërkuar të reduktojnë ose të ndalojnë plotësisht blerjen e karburanteve fosile ruse. Shumë prej tyre kanë shpallur objektiva më ambicioze për kalimin në burime të rinovueshme të energjisë si era dhe dielli, duke kërkuar gjithashtu burime jo-ruse të gazit dhe naftës.

Climate Action Tracker thotë se objektet e reja të gazit natyror të lëngshëm (LNG) janë propozuar tani në Gjermani, Itali, Greqi, Holandë dhe Kanada. SHBA, Katari, Egjipti dhe Algjeria kanë nënshkruar të gjitha marrëveshje për të eksportuar gaz natyror të lëngshëm në pjesë të ndryshme të BE-së, ndërsa projektet e gazit po ringjallen në Afrikën perëndimore.

Shkencëtarët e OKB-së kanë identifikuar disa ngjarje si shkrirja e shtresave të mëdha të akullit, ose ngrica e përhershme, të cilat mund të veprojnë si “pika kthese” duke nxitur më tej ndryshimin e përshpejtuar klimatik. Planet e BE-së për t’u larguar nga përdorimi i karburanteve fosile ruse dhe drejt burimeve të rinovueshme janë kritikuar për vazhdimin e financimit të infrastrukturës së karburanteve fosile.

Leave a Reply