Stoltenberg: Mund të shtojmë praninë tonë në veri
NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse situata në veri të Kosovës do të përshkallëzohet gjatë hyrjes në fuqi të vendimit të Prishtinës për zbatimin e reciprocitetit mbi targat dhe dokumentet e identifikimit. Këtë e bëri të ditur kreu i Natos Jens Stoltenberg pas takimeve që zhvilloi ndarazi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel, ku dhe u bëri thirrje palëve që të ulin tensionet.
“Ne kemi dëshmuar që ne mund rrisim patrullimet në veri dhe të rrisim numrin e pjesëtarëve. NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren dhe misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it mbetet i fokusuar në mandatin e OKB-së. Nëse rrezikohet stabiliteti, KFOR është i gatshëm të ndërhyjë dhe do marrim çdo masë për të siguruar një mjedis të sigurtë dhe të qetë”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri të qartë se Kosova e ka detyrim zbatimin e marrëveshjeve të arritura, ndërsa akuzoi edhe njëherë Rusinë se kërkon tëdestabilizojë Ballkanin nëpërmjet Serbisë.
“Institucionet dhe qytetarët e Kosovës në situatën aktuale kanë arsye të jenë vigjilentë ndaj qasjes destruktive të fqinjit tonë verior ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi nën agjendën e dëmshme të Rusisë për Evropën dhe Ballkanin.
Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç mohoi akuzat se forcat serbe kanë kaluar vijën Administrative në Kosovë dhe u shpreh se vendi i tij do të vijojë të respektojë ligjin ndërkombëtar.
“Ushtria serbe, Forcat e Armatosura dhe policia jonë nuk e kanë kaluar vijën administrative në asnjë moment. Serbia do të vijojë të respektojë ligjin ndërkombëtar, së bashku me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara, Marrëveshjen e Brukselit dhe gjithçka tjetër”.
Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Aleksander Vuçiç do të takohen nesër në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian për të diskutuar mbi çështjen që palët kanë ende të hapura mes tyre, përfshi këtu edhe reciprocitetin.