Dy persona humbën jetën, ndërsa mbi 180 mijë shtëpi mbetën pa energji, urdhrat e evakuimit vijojnë të mbeten në fuqi
Erërat e forta të ciklonit bombë, rrëshqitjet e dheut dhe shirat e dendur goditën Kaliforninë duke ndërprerë energjinë dhe shkaktuar përmbytje të fuqishme.
Dy persona humbën jetën duke përfshirë një fëmijë të vogël, shtëpia e të cilit u shemb pasi një pemë ra mbi të ndërsa një 19-vjeçare vdiq kur makina e saj rrëshqiti nga një rrugë.
Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave mbyllën autostradat. Stuhia “Pineapple Express” filloi pranë Havait dhe u tërhoq drejt Bregut Perëndimor. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neësom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Zona e Gjirit të San Franciskos dhe rajoni përreth tij ishin të goditura më rëndë, të cilat ende nuk janë rikuperuar nga dëboara që përfshiu SHBA-në gjatë sezonit të Krishtlindjeve. Rreth 180,000 shtëpi dhe biznese, kryesisht në Kaliforninë Veriore dhe Qendrore, vijojnë të jenë pa energji elektrike.
Pjesa më e madhe e shtetit është goditur nga lumenjtë atmosferikë, një rrymë ajrore që bart lagështi të dendur nga oqeani, duke sjellë shi të dendur në zonat e ulëta, erëra të fuqishme në San Francisko dhe borë në Sierra Nevada. Fshati bregdetar Capitola në kontenë Santa Cruz rreth 100 kilometra në jug të San Franciskos ka pësuar ndoshta dëmin më të madh pasi dallgët me një lartësi 7.6 metra u përplasën me shtëpitë dhe restorantet. Në komunitetin bregdetar të Aptos, dhjetëra njerëz mbetën të bllokuar në shtëpitë e tyre sepse pemët e rrëzuara dhe mbeturinat bllokuan rrugën.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka bërë të ditur se Kalifornia do të vazhdojë të ndikohet nga kushtet atmosferike të lumenjve, me reshje të dendura përmbytje me rrjedha mbeturinash dhe rrëshqitje të dheut pranë zonave ku verën e kaluar u dogjën nga zjarret si pasojë e motit të nxehtë.
Urdhrat e evakuimit dhe këshillimet vijojnë të mbeten në fuqi në pjesë të Kalifornisë Veriore dhe autoritetet lokale kanë paralajmëruar se stuhia mund të vrasë njerëz, veçanërisht rreth San Franciskos dhe Sacramentos. Baret dhe restorantet janë mbyllur në San Francisko, disa prej të cilave pësuan edhe dëme të konsiderueshme. Gjithashtu janë anuluar dhjetëra fluturime jashtë shtetit ndërsa mësimi është pezulluar deri në përmirësimin e situatës.
Edhe disa shtete të tjera në jug të SHBA-së u goditën nga moti i keq. Shira të dendur, përmbytje u regjistruan në disa rajone në Florida si dhe Xhorxhia.