Shkon në 7 numri i të arrestuarve për vrasjen e kuksianit

Policia ndalon një tjetër person për ngjarjen e Prizrenit

Ka shkuar në shtatë numri i të arrestuarve për vrasjen e Visar Cengut dhe plagosjen e Rutget Shehut nga Kukësi, mëngjesin e 3 Janarit në Prizren.

Me vendim të prokurorit, Policia e Kosovës ka ndaluar Roland Susurin nga Prizreni, i cili është dërguar në paraburgim. Ndonëse policia nuk jep detaje për arsyen e ndalimit të tij, mësohet se ai dyshohet se ka fshehur provat për zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë hetuesit vijojnë punën për zbardhjen e gjithë dinamikës së konfliktit që çoi në vrasjen dhe plagosjen e dy të rinjve nga Kukësi. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pritet kqyrja e DVR-së gjetur në një prej banesat e bastisura dy ditë më parë të personave të arrestuar, si dhe hapja e kasafortës së gjetur në shtepinë e Dibran Hoxhës.

Shkak u bë një mosmarrëveshjeje mes të rinjve nga Kukësi dhe punonjësve të lokalit për pagimin e faturës prej 400 euro për tre pije të ndryshme.

Sipas dosjes së prokurorisë, pas sherrit dhe rrëmujës të krijuar në lokal, tre të rinjtë nga Kukësi kanë dalë nga lokali dhe pasi kanë hipur në një makinë me targa angleze kanë tentuar të largohen, por në parkingun e lokalit janë qëlluar nga Dibran Hoxha.

Për pasojë Visar Cengu i ulur në sedilen e pasme të makinës si pasojë e plumbave humbi jetën rrugës për në Kukës, ndërsa u plagos Rutget Shehu.

Leave a Reply