Urdhri: Të ndalohet menjëherë përdorimi
Komisioni Europian i shpall luftë TikTok-ut. Zyrtarët dhe nëpunësit e Komisionit u urdhëruan të mos përdorin dhe të fshijnë aplikacionin më të famshëm në botë nga pajisjet e tyre elektronike.
Komisioneri për tregun e brendshëm Tieri Brenton nuk dha detaje për arsyet e këtij urdhëri, por tha se fokusi i Bashkimit Europian në këtë moment është rritja e sigurisë kibernetike.
Urdhri është që zyrtarët e Komisionit duhet të fshijnë aplikacionin “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe para datës 15 Mars, një fakt që ka ngritur shumë dyshime se përmes këtij aplikacioni kanë rrjedhur informacione të rëndësishme nga strukturat e larta të BE-së.
Edhe administraya amerikane ndaloi Dhjetorin e kaluar aplikacionin nga të gjitha pajisjet e qeverisë federale për shkak të frikës së spiunazhit nga Kina, ku ndodhet kompania mëmë e TikTok, ByteDance. Perëndimi dyshon se ky aplikacion grumbullon të dhëna për llogari të spiunazhit kinez.