Ndonëse në BFI-në e Shaqir Fetait vlojnë skandalet, ndonëse nepotizmi, korrupsioni, vjedhja, devalvimi, deinstitucionalizimi, amoraliteti kanë arritur kulmin e lulëzimit, asnjë nga mediat shtetërore, asnjë nga organet shtetërore të drejtësisë, asnjë nga komisionet gjegjëse nuk merren me këtë institucion dhe me të degjeneruarit brenda tij! Madje edhe e favorizojnë, e ushqejnë këtë krim, vetëm e vetëm të funksionojë një BFI e degraduar në nivel të një ojq-je me rol periferik
Nga Jasir Jashari
A ju kujtohet BFI-ja e dikurshme? Një Institucion shumë relevant, shumë i respektueshëm, shumë kushtetues, shumë i vendosur në realizimin e programit dhe strategjisë të bazuar në platformën e Institucionit që kishte për qëllim avancimin e jetës fetare por dhe zgjidhjen e çështjeve kombëtare të pjesëtarëve të vet, që me shumicë absolute ishin dhe janë shqiptarë! Dikur BFI-ja kishte edhe peshën e Institucionit fjala e të cilit respektohej gjithandej qarqeve ndërkombëtare! Kishte staf profesional, personalitete nga më të mirët në rajon e më gjërë.
Sot, BFI-në e kemi në nivel të një çajtores provinciale ku hyn e del mileti sa për të pirë një çaj e për të bërë një sesion fotosh me “reisin” e instaluar në krye nga qarqet që nuk kan asgjë të përbashkët me islamin!
Dikur institucionet e caktuara shtetërore i përkrahnin lëvizjet e dyshimta vetëm e vetëm që të dëmtohet BFI-ja, e cila natë e ditë i luftonte ato lëvizje në emër të ruajtjes së unitetit dhe të islamit burimor e autokton, ndërsa sot, institucionet e caktuara shtetërore e përkrahin BFI-në e Shaqir Fetait vetëm pse është shumë tolerante në realizimin e synimit të tyre: defaktorizimin e BFI-së, frakcionimin e xhamatit si dhe përkrahjen e sa më shumë “bfi”-ve që do të jenë turpi më fatal i myslimanëve të vendit.
Sot, brenda BFI-së vlon nepotizmi, vlon shantazhi, krimi, hajnia, vjedhja e vakëfit. BFI-ja është shndërruar në qendër e intrigave nga më të poshtrat! Iks myftiu e fal Shaqir Fetain nëse ia punëson në Medrese një kushëri, tjetri myfti e fal Shaqir Fetain nëse do t’i shkarkojë nga myftillëku myftiun e Kumanovës, të Tetovës si dhe të Strugës, tjetri myfti, e përkrah opcionin politik të “liderit” nga fisi i të cilit mbanë sekret një femër që e trajton si grua të dytë, myftiu tjetër nuk i bëzan Shaqir Fetait sepse ky akoma nuk ia ka hapë dosjen e vjedhjes duke ndërtuar magazina e objekte gjigante me paratë e fitrit e të zeqatit, të tjerët myftilerë i rrinë sus Shaqir Fetait, sepse ky i ka ngritur në institucion, edhe pse ata nuk e meritojnë as të drejtojnë dy copa dhenësh!
Për të gjitha këto dukuri të tmerrshme kanë njohuri institucionet e shtetit, organet e drejtësisë, subjektet e caktuara politike, të cilat, “pa vetëdije” janë bërë mburojë e interesave meskine të honxho-bonxhove të Shaqir Fetait!
Sot BFI-ja, aty-këtu, herë pas here vizitohet edhe nga ndonjë diplomat i huaj, i cili jo se nuk është i njohtuar nga shërbimet e veta me krimet dhe maskrallëqet që vlojnë brenda BFI-së, por, ja që kanë instruktcione që ta legjitimojnë defaktorizimin dhe degradimin e BFI-së, ngjashëm siç po e legjitimojnë edhe institucionet shtetërore, madje, fatkeqësisht, edhe disa “parti politike kombëtare”, sepse, ia kanë dalur disi ta partizojnë dhe ta militarizojnë institucionin duke shpresuar në gjenerim te votave partiake!
Një gjë është e qartë! Një BFI në këtë nivel ku e ka sjellë Shaqir Fetai me politikat e veta nonshalante, nuk i duhet askujt, aq më pak myslimanëve të vendit! Një BFI që sjell vendime punësimi nëpër çajtore, madje emëron drejtor të medresesë në kundërshtim me Statutin e Medresesë, që sjell vendime denacionalizimi të vakëfit përmes bonove në vlerë edhe atë nëpër oda katundesh dhe jo në Rijaset; një BFI e defaktorizuar dhe e depersonalizuar është një kokëdhembje fatale për vetë perspektivën e shtetit dhe të shoqërisë.
Sot fjala e BFI-së nuk dëgjohet askund, nuk ka peshë, rrjedhimisht nuk është vendimtare! Sot BFI-ja nuk është në gjendje të zgjidhë qoftë një problem më të vogël me të cilën përballet! Sot BFI-ja konsiderohet si turpi më i madh i myslimanëve të vendit, të cilët, për hirë të devotshmërisë së tyre, kan frikë të ngrisin zërin protestues kundër kësaj dukurie shkatërrimtare që po ndodhë brenda BFI-së! “Lideri” i BFI-së sot është njeriu më i përfolur në Ballkan e më gjërë, emri i tij përflitet herë me nofkë e herë si tradhëtar, herë si hajn e herë si bashkëpunëtorë i strukturave të caktuara, aq më tepër kur të gjitha këto u thanë edhe nga anëtarë të Rijasetit! (Shkarkimi i të cilëve ndodhi dy-tre muaj më parë!)
Tërë ky degradim nuk i bën përshtypje as institucioneve shtetërore, as subjektit politik të bllokut mysliman dhe as faktorit ndërkombëtar! Heshtja e rrënimit po u konvenon të gjithëve! Porse, nuk duhet harruar, nuk ka rrënim pa zhurmë dhe, nga ana tjetër, nuk ka ngritje pa zhurmë! Zhurma e rrënimit mund të zgjasë disa sekonda, por ama zhurma e ngritjes mund të zgjasë përjetësisht dhe, në këtë përjetësi të detyrohen pastaj të gjithë që të mëshirohen me atë zhurmë, madje edhe të sakrifikojnë më sublimen vetëm e vetëm që ngritja të përfundojë sa më shpejt dhe, me të, të përfundojë edhe zhurma sado e lezetshme që mund të jetë për palën ngritëse!