Reuters: Kameramani ynë vdiq në sulmin me raketë nga Izraeli

Rrjeti mediatik Al-Jazeera me bazë në Katar, dy gazetarët e të cilit u plagosën në sulm, gjithashtu e konsideroi Izraelin përgjegjës për sulmin ndaj gazetarëve në jug të Libanit

Bejrut

Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se kameramani i saj Issam Abdullah, i cili po punonte në rajonin kufitar në jug të Libanit, vdiq si pasojë e një sulmi me raketë nga Izraeli, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në llogarinë e saj në gjuhën arabe në rrjetin social “X”, Reuters ndau informacione të përditësuara për sulmin e djeshëm në të cilin humbi jetën Abdullah.

Në deklaratë thuhet se kameramani i Reutersit ka vdekur për shkak të një rakete të lëshuar nga Izraeli.

Rrjeti mediatik Al-Jazeera me bazë në Katar, dy gazetarët e të cilit u plagosën në sulm, gjithashtu e konsideroi Izraelin përgjegjës për sulmin ndaj gazetarëve në jug të Libanit.

Kryeministri libanez Najib Mikati deklaroi dje se Izraeli kreu sulm që synonte drejtpërdrejt gazetarët në rajonin kufitar në jug të vendit.

Nga ana tjetër, një zyrtar nga zyra e zëdhënësit të ushtrisë izraelite, i cili foli për korrespondentin e Anadolu-së, tha se nuk e mohojnë dhe as konfirmojnë ngjarjen dhe se janë duke shqyrtuar detajet./AA/

Leave a Reply