Xhaferri: Akuza për Berishën, SPAK sapo u rreshtua në koalicionin zgjedhor të PS për zgjedhjet e 2025!

Kreu i FRPD, Besard Xhaferri është shprehur se me akuzën për korrupsion pasiv për Sali Berishën,  SPAK sot nënshkroi marrëveshjen zgjedhore për të hyrë në koalicion me Edi Ramën në betejën elektorale të 2025.

Postimi:

Me akuzën për korrupsion pasiv për Sali Berishën,  SPAK sot nënshkroi marrëveshjen zgjedhore për të hyrë në koalicion me Edi Ramën në betejën elektorale të 2025.

SPAK që nuk guxon ti vendosë emrin në dosje Edi Ramës, zyrtarit që me firmën e tij ndryshoi destinacionin e truallit të kompleksit Partizani, akuzon për korrupsion pasiv Sali Berishën, njeriun që nuk ka asnjë firmë në dokumentet që kanë kaluar në sitën e SPAK për këtë dosje politike  të iniciuar nga Tualant Balla.

Sipas SPAK Sali Berisha është korruptuar nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi që pas një sage 20 vjeçare morën pronën e trashëguar prej dajave të tij dhe e zhvilloi.

Sali Berisha po hetohet për një vendim kolegjial, nga i cili kanë përfituar 500 mijë shqiptar, teksa në mars të këtij viti qeveria e Ramës zgjati afatin e bonove të thesarit.

Nuk ka asnjë dyshim që pengmarrja e Sali Berishës është për të marrë peng opozitën dhe pluralizmin në Shqipëri, ndaj përballë këtij skenari protestat do përshkallëzohen dhe do të zhvendosen përpara Parlamentit Evropian në Bruksel.

Janë miliona euro të taksapaguesve të vendeve të Bashkimit Evropian që kanë shkuar për drejtësinë e re, që sot është po aq funksionale sa Inceneratorët.

Nëse inceneratorët djegin vetëm taksat tona, Drejtësia e re djeg vetëm rivalët politik të Edi Ramës brenda dhe jashtë partisë socialiste.

Drejtësia e re pa asnjë dyshim është si ish aparati i Sigurimit Shtetit që për 4 dekada mbajti  nën terror një popull të tërë për të ruajtur pushtetin e një individi.

Partinë demokratike nuk e asgjësuan as në 1990 me të infiltruar, nuk e asgjësuan as në 1997 me falangat e krimit, nuk e asgjësuan as me krimin, Soros dhe McGonigal në 2021 dhe nuk do ta asgjësojnë as me SPAK në 2025 pasi ne jemi të vendosur për të mbrojtur pluralizmin dhe Shqipërinë.

Leave a Reply