Në ditën e fundit të fushatës elektorale të kandidatëve republikanë dhe demokratë në Nju Hempshër, analistët gjykojnë se të dy frontet kanë lënë pa prekur një çështje shumë të ndjeshme për shtetin: drogën.
Nju Hempshër njihet për numrin e lartë të përdoruesve të heroinës. Shteti ka një nga normat më të larta të përdorimit të këtyre substancave, kryesisht nga të rinjtë, dhe renditet i dyti nga të gjitha shtetet amerikane sa i përket qasjes në trajtimin e abuzimit me drogën.
“Nëse futesh në të paktën një nga qendrat e rehabilitimit këtu gjen 30 shtretër që nuk ngelen asnjëherë bosh, pasi çdo ditë njerëz të ndryshëm i nënshtrohen trajtimeve për abuzimin me këto substanca”, thotë një nga drejtueset e programeve të ndihmës. Një tjetër aktiviste thotë se abuzimi me drogën ka bërë që të humbasin shumë njerëz.
“Po humbim gjeneratën tjetër dhe kjo është shumë e frikshme”, thotë ajo. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 23 milionë njerëz po i nënshtrohen aktualisht proceseve të rehabilitimit nga droga, ose ndryshe, ata përbëjnë 10 për qind të shoqërisë amerikane. Dhe të gjithë ata janë votues në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Madje, sipas statistikave të fundit, në SHBA më shumë njerëz vdesin nga overdoza sesa nga aksidentet automobilistike. Kandidatja demokrate Hillary Clinton është ajo e cila ka premtuar 1 miliard dollarë për shtetet që përballen më së shumti me problematikën e drogës, një nga të vetmet premtime elektorale që të gjithë kandidatët për president kanë rënë dakord./ Top Channel