Reforma në drejtësi, eurodeputetët: Të kënaqur me ecurinë

Eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein janë të kënaqur me ecurinë e deritanishme të reformës në drejtësi dhe presin nga klasa politike shqiptare që pas opinionit të Venecias puna për këtë reformë të nisë me “vrull”.

Ky ishte mesazhi i përcjellë prej tyre në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

“Jemi këtu pas dekriminalizimit për të parë sesi mund të mbështesim reformat në këtë vend. Jemi të kënaqur me ecurinë që është arritur deri më tani dhe jemi në pritje të rekomandimve të Venecias dhe më pas nis puna me vrull”, tha eurodeputeti Knut Fleckenstein.

Eurodeputeti u kujdes të theksojë se më shumë sesa miratimi, ka rëndësi zbatimi i reformës, ndërsa u shpreh optimist për miratimin e reformës pasi siç tha ai “politika shqiptare e ka bindur që ekziston dëshira për të gjetur një zgjidhje për ndasitë që kanë”.

Fleckenstein kujtoi se brenda pak kohësh do të paraqesë raportin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, ku do të kërkojë që Komisioni të angazhojë një mision monitorues të reformës në drejtësi, “Brenda pak javësh do të diskutojmë raportin tim për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe do të kërkoj që Komisioni Europian të dërgojë një mision monitorues të zbatimit të reformës në drejtësi”, tha Fleckenstein.

Nga ana e tij, eurodeputeti tjetër, Eduard Kukan shprehu gatishmërinë që t’i vijnë në ndihmë klasës politike shqiptare sa herë që do të ketë nevojë në rrugën e integrimit europian.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, pasi falenderoi eurodeputetët për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë ndaj rrugës integruese të Shqipërisë, tha se “përparimi i mëtejshëm në reformën në drejtësi është domosdoshmëri për të rritur në standard më të lartë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”./ Top Channel

Leave a Reply