Për vdekjen tragjike të 9 pasagjerëve nga fatkeqësia hekurudhore, që ndodhi në mëngjesin e së martës ka shprehur keqardhje edhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel.
“Unë jam e shokuar dhe tejet e pikëlluar pas aksidentit të rëndë nga përplasja e dy trenëve me pasagjerë, këtë mëngjes në Bad Aibling. Ngushëllimet dhe dashuria ime e pafund shkon sidomos për familjet e nëntë viktimave që humbën jetën’’, u shpreh kancelarja Merkel.
“Mendja ime qëndron edhe tek ata të cilët u lënduan në këtë aksident e që janë duke luftuar për jetë nga pasojat e aksidentit. Ju uroj shërim të plotë sa më shpejtë që të jetë e mundur’’.
Ndërkaq Kancelarja Angela Merkel, fjalimin e saj e përmbylli duke falënderuar të gjithë ekipet e shpëtimit dhe forcat operacionale të cilët u kujdesën gjatë atyre momenteve të vështira duke bërë një punë të palodhshme për të shpëtuar sa më shumë jetë, shkruan gazeta gjermane bundesregierung.de.