“Kur flet për qeverinë flet si Saliu. Kur shan partinë e tij e shan me të njëjtan argumente si Saliu. Por Blushi është pjesë e karvanit të partisë sonë nuk është jashtë saj” Kjo është përgjigjja që deputeti socialist Taulant Balla dha në replikë me deputetin Ben Blushi në një intervistë telefonike për Ora News.
Intervista u krye menjëherë pas një tjetër inteviste telefonike me deputetin Ben Blushi.
Taulant Balla: Është një proces shumë demokratik. Ka nisur dhe do të përfundojë i tillë. Kriteri themelor ishte ai i barazisë gjinore. Në 170 delegtatët e rajonit Korçë- Elbasan do të dalin 85 gra e 85 burra. Është proces i rëndësishëm që garanton barazinë gjinore.
Ora News: Keni pasur një përplasje me zotin Blushi i cili thotë se procesi është trukuar?
Taulant Balla: Kam pasur një replikë që e kanë mbështetur të gjithë anëtarët e PS-së të Elbasanit. Gjithçka u mundua të thotë Blushi ishte ripërsëritja e telenovelës fyese të një procesi transparent. Blushi nuk ka si ta dijë dhe ta paragjykojë kur nuk ka qenë në asnjë fazë të procesit. Thotë se nuk janë njoftuar anëtarët e PS, kur të gjithë janë njoftuar me shkrim dhe unë si drejtues politik i Elbasanit kam njoftuar përmes një mesazhi telefonik të gjithë anëtarët e PS. Nuk ka asnjë anëtar të PS-së. Por kur nuk vjen në Elbasan për 2 vite me radhë dhe nuk ushtron detyrën primare të deputetit të vish të takosh zgjedhësit e tu dhe më pas të thuash se procesi nuk është bërë i rregullt? Si ka mundësi që bën këto argumente. Kur flet për qeverinë flet si Saliu, kur shan partinë e tij e shan me të njëjtat argumente si Saliu. Kjo është fyese e papranueshme dhe besoj se reagimi i anëtarëve të PS-së është shprehja më domethënëse e një njeriu që fyen partinë. Një njeriu që për turp të tij mundohet të vërë një njollë të zezë në proces që është shumë demokratik.
Sa i takon komentit për karvanin Balla tha: E konsideroj Ben Blushin pjesë të karvanit dhe jo jashtë karvanit të PS-së tonë/Oranews.tv/