Serbia nuk është e interesuar për t’iu bashkuar NATO-s apo për të mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, me gjithë ambiciet e Qeverisë serbe për t’u anëtarësuar në BE’, ka thënë ambasadori i Serbisë në Moskë, Sllavenko Terziç.
“Sa i përket çështjes së anëtarësimit në NATO, Serbia ka proklamuar neutralitetin ushtarak dhe politik dhe, deri më tash, askush nuk e ka ndryshuar këtë qasje. Serbia nuk është duke u përgatitur për t’iu bashkuar NATO-s. Po ashtu, nuk do t’iu bashkohemi kurrë sanksioneve kundër Federatës Ruse”, ka thënë Terziç për gazetarët në Moskë.
Ai ka shtuar se Serbia do t’i ruajë lidhjet e saj me Moskën dhe se synon t’i bashkohet Unionit Ekonomik Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia.
Terziç ka konfirmuar se presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, do të vizitojë Moskën më 9 mars.