Një devijim nga parimet islame në hapësirën arsimore fetare

Në planin shoqëror, deklarata të tilla si, “bindini shoqet që të vijnë këtu që të edukohen si i ka hije” nuk janë thjesht të papërshtatshme; ato janë të rrezikshme. Po vajzat e tjera që nuk dëshirojnë të vijojnë medresene ë që janë me qindra e mijëra të tilla, ato nuk e paskan edukate si u ka hije, ë?

Nga Valbon Osmani

Ngjarja e ndodhur dhe e shkaktuar nga Shaqir Fetai gjatë vizitës në paralelen e vajzave në Gostivar, në kuadër të Shkollës së Mesme “Medresja Isa Beu”, nuk mund të relativizohet si një incident i zakonshëm protokollar. Ajo përfaqëson një simptomë të një problemi më të thellë: transformimin e autoritetit fetar në instrument dominimi simbolik dhe prodhimi diskursiv që bie ndesh me vetë thelbin e etikës islame. Tashmë është konstatuar disa herë se instalacioni i shërbimeve të huaja në krye të BFI-së, Shaqir Fetai, vuan për t’u dëshmuar se sa i madh është, e vuan mospranimin nga shoqëria e “madhërisë” së tij.
Në traditën islame, figura e udhëheqësit fetar nuk është kurrë një figurë që kërkon nënshtrim ceremonial apo glorifikim publik. Përkundrazi, modeli paradigmatik mbetet vetë Muhamedi a.s., për të cilin transmetohet në hadithe autentike se ai e urrente ngritjen e njerëzve në këmbë për të në mënyrë demonstrative dhe nuk lejonte që të trajtohej si figurë e mbivendosur mbi të tjerët. Në një transmetim të njohur, ai paralajmëron: “Mos më ngrini mbi atë që jam”, duke refuzuar çdo formë të teprimit në nderim.
Në këtë prizëm, kërkesa që nxënëset të formojnë një “korridor nderi”, një lloj hinke njerëzore përmes së cilës një figurë autoritare kalon duke i vëzhguar, nuk është vetëm estetikisht e diskutueshme; ajo është teologjikisht problematike. Ky është një akt që e zhvendos marrëdhënien nga edukimi në spektakël, nga respekti në ritualizim të autoritetit. Në vend të përulësisë (tevadu), kemi një performancë të qartë të vetë-madhështimit – një devijim që bie ndesh me një nga parimet themelore të moralit islam. Pale më ta kërkoshë këtë përulësi publikisht nga vajzat e reja myslimane!
Pra, kjo bëhet edhe më e rëndë kur merret parasysh dimensioni gjinor i situatës. Në literaturën klasike islame, përfshirë veprat e Ebu Hamid el-Gazali, theksohet vazhdimisht nevoja për ruajtjen e dinjitetit, modestisë dhe integritetit të marrëdhënieve ndërpersonale, veçanërisht në raportet mes gjinive. Në veprën e tij monumentale Ihja Ulum ed-Din, ai e vendos theksin mbi edukimin e brendshëm moral dhe shmangien e çdo situate që mund të çojë në objektivizim apo instrumentalizim të individit. Një rreshtim ceremonial i vajzave, i cili krijon një skenografi ekspozimi, është vështirë të pajtohet me këtë etikë të brendshme të përmbajtjes dhe dinjitetit.
Për më tepër, retorika e përdorur gjatë kësaj vizite, veçanërisht deklaratat mbi akreditimin dhe rolin e medresesë, përfaqëson një tjetër nivel problematik: atë të diskursit të pasaktë, në kufijtë e manipulimit. Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut operon mbi baza të qarta ligjore, ku programet fetare nuk janë pjesë integrale e kurrikulave të standardizuara shtetërore. Kjo është një çështje e njohur dhe e dokumentuar. Të paraqesësh një realitet ndryshe përpara nxënësve nuk është thjesht gabim informativ; në terminologjinë islame, kjo hyn në kategorinë e gënjeshtrës (kidhb), e cila dënohet qartë në tekstet themelore.
Në Kurani, thuhet: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi gënjeshtarët” (3:61), ndërsa në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, Muhamedi a.s. thekson: “E vërteta çon në mirësi, ndërsa gënjeshtra çon në shkatërrim.” Në këtë kuptim, çdo deformim i realitetit për qëllime propagandistike është jo vetëm etikisht i papranueshëm, por edhe fetarisht i dënueshëm.
Kulmi i këtij diskursi problematik arrihet në deklaratën që sugjeron një superioritet moral të nxënëseve të medresesë ndaj vajzave të tjera. Ky është një qëndrim thellësisht përçarës dhe, mbi të gjitha, teologjikisht i pabazë. Në Kurani, kriteri i vetëm i vlerësimit është i qartë: “Më i nderuari tek Allahu është ai që është më i devotshmi” (49:13). Nuk ka asnjë bazë në tekstet islame për të ndërtuar hierarki morale mbi bazë të përkatësisë institucionale apo shkollore.
Dijetarë të mëdhenj kanë paralajmëruar kundër kësaj prirjeje për të absolutizuar grupin apo institucionin, duke e konsideruar atë një formë të devijimit nga drejtësia islame. Drejtësia dhe e vërteta nuk lidhen me përkatësinë, por me përmbajtjen dhe sinqeritetin.
Në planin shoqëror, deklarata të tilla si, “bindini shoqet që të vijnë këtu që të edukohen si i ka hije” nuk janë thjesht të papërshtatshme; ato janë të rrezikshme. Po vajzat e tjera që nuk dëshirojnë të vijojnë medresenë e që janë me qindra e mijëra të tilla, ato nuk e paskan edukate si u ka hije, ë? Këto deklarata tendencioze dhe të pista krijojnë një ndarje artificiale midis “të moralshmëve” dhe “të tjerëve”, duke ushqyer një kulturë përjashtimi dhe përçmimi që bie ndesh me vetë misionin e edukimit dhe të fesë.
Në përfundim, rasti në fjalë nuk është një devijim i vogël individual, por një ilustrim i një tendence më të gjerë: përdorimi i autoritetit fetar për të ndërtuar narracione të rreme, për të imponuar praktika simbolike të diskutueshme dhe për të artikuluar qëndrime që cenojnë dinjitetin kolektiv. Nëse këto prirje nuk sfidohen me qartësi dhe argument, rreziku nuk është vetëm deformimi i arsimit fetar, por edhe komprometimi i vetë etikës islame në sytë e brezave të rinj.
Feja islame nuk ka nevojë për spektakël, as për hierarki të sajuara morale. Ajo që kërkon është e vërteta, drejtësia dhe përulësia, pikërisht ato vlera që mungojnë në rastin e Shaqir Fetait.

https://www.facebook.com/share/v/1Cd7gumxJp

Leave a Reply