BFI-ja e Shaqir Fetait na paska dalë me një “thirrje publike”: “Me udhëzim dhe obligim të Reisul Ulemasë” të dokumentohet historia e pritjes dhe përkujdesit ndaj vëllezërve tanë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998–1999. Pse i duhet Shaqir Fetait ky dokumentim? Për Beogradin?
Nga Halid Sadiku
Që në rreshtin e parë, kjo e ashtuquajtur “thirrje publike” rrëzohet mbi vetveten: “me udhëzim dhe obligim”, një formulim që nuk i përket as ndërgjegjes historike, as kulturës së kujtesës, por një mentaliteti të vonuar komandues, të thatë dhe të dalë nga zyret e shërbimeve intelegjente armike. Kujtesa kolektive nuk ndërtohet me urdhra. Ajo nuk mobilizohet me “obligime”, por me përgjegjësi të brendshme dhe me ndershmëri përballë së kaluarës, ashtu siç e kishte BFI-ja e H. Sulejman ef. Rexhepit dhe e OH “El Hilal” si dhe të gjitha strukturat e Komunitetit. Kur një institucion fillon një proces të tillë me gjuhë urdhërore, ai në fakt pranon pa dashje se nuk po e bën këtë nga nevoja e së vërtetës, por nga një impuls i jashtëm, i paqartë dhe i dyshimtë.
Dhe pastaj vjen absurdi i madh: pas më shumë se dy dekadash, kërkohen “dokumente” për një ngjarje që në kohën e vet ishte ndër më të dokumentuarat në historinë e re shqiptare. Në vitet 1998–1999, çdo xhami ishte një qendër organizimi, çdo hoxhë një dëshmitar i drejtpërdrejtë, çdo familje një arkiv i gjallë i solidaritetit. Nuk kishte nevojë për “thirrje publike”, sepse vetë realiteti ishte një regjistër i hapur i dhimbjes dhe i humanizmit, i cili, tashmë është i arkivuar në “El Hilalin” e Abdurauf Pruthit dhe jo në “Hilalin” e hajnit me tapi, Mustafa Dautit, që deri para do kohe ishte “ministër i jashtëm” i Shaqir Fetait.
Por mbi të gjitha, kjo thirrje e zbrazur nga përmbajtja zbulon një qëllim edhe më problematik: ajo kërkon të “mbledhë” atë që tashmë ekziston, duke anashkaluar qëllimisht burimin kryesor të dokumentimit. Sepse nëse ka një institucion që e ka evidentuar me përpikëri çdo detaj të asaj kohe, ai është Organizata Humanitare “El Hilal”, struktura operative e Bashkësisë Fetare Islame që në terren regjistronte çdo hyrje, çdo shpërndarje ndihmash, çdo familje të strehuar, çdo lëvizje të refugjatëve, çdo donacion e kontribut humanitar. Aty nuk mungon asgjë: as minuta, as orë, as emra. Pra, për çfarë dokumentesh e rrëfimesh bëhet fjalë në “thirrjen publike” me të cilën “obligon” Shaqir Fetai për interesa që i di vetëm ai? Çfarë kërkohet që nuk është regjistruar tashmë?
Në këtë pikë, thirrja fillon të marrë një tjetër kuptim: jo si përpjekje për të ndriçuar historinë, por si tentativë për ta riformatuar atë. Sepse nuk mund të injorosh arkivin më të plotë dhe njëkohësisht të pretendosh se po ndërton kujtesën.
Por ajo që e bën këtë nismë edhe më të papranueshme është heshtja e saj përballë shkaktarit të tragjedisë. Në asnjë rresht nuk përmendet qartë agresori. Një thirrje që synon të “ndriçojë” një periudhë historike dhe nuk e përmend fare agresorin, është si një dëshmi pa subjekt. Ku është emri i politikave që prodhuan atë katastrofë? Pse nuk thuhet qartë se bëhej fjalë për dokumentimin e dëbimit masiv, të spastrimit etnik, për dhunën sistematike të ushtruar nga aparati shtetëror gjenocidal serb në Kosovë? Pse kurrë, në asnjë paraqitje të vetin Shaqir Fetai nuk e apostrofon synimin racist serb? Historia nuk është abstraksion; ajo ka autorë, ka përgjegjësi, ka emra dhe mbiemra. Pa këtë, çdo “dokumentim” mbetet i cunguar, madje i rrezikshëm, sepse relativizon të vërtetën. Historia nuk mund të dokumentohet në mënyrë “neutrale” kur bëhet fjalë për krime. Ajo kërkon emërim të qartë, kërkon përgjegjësi, kërkon guxim. Pa këtë, çdo arkiv mbetet një koleksion i zbrazët letrash, një dekor burokratik që nuk i shërben së vërtetës, por e mbulon atë.
Në këtë kontekst, lind edhe dyshimi i pashmangshëm mbi motivet reale të kësaj nisme. Pse tani? Pse pas kaq vitesh? Pse me këtë gjuhë të sterilizuar? Dhe mbi të gjitha, pse me këtë shmangie sistematike të asaj që është thelbësore? Kur një proces nis pa sinqeritet, ai nuk mund të prodhojë të vërtetë.
Roli i Bashkësisë Fetare Islame në atë kohë nuk ka nevojë të “provohet”, ai është i gdhendur në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Ai është i dokumentuar në strukturat e veta, në veprimtarinë e “El Hilal”, në dëshmitë e mijëra njerëzve që gjetën strehë, ushqim dhe shpresë. Të pretendosh sot se kjo duhet të “mbledhet” nga e para, është jo vetëm vonesë, por është një formë e butë retushimi, për të mos thënë mohimi.
Historia e atyre viteve nuk pret të shkruhet nga fillimi. Ajo kërkon vetëm një gjë: të thuhet ashtu siç është, me emra, me përgjegjësi dhe me dinjitet. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë, qoftë edhe nën petkun e një “thirrjeje publike”, mbetet një tentativë e dështuar për të zëvendësuar kujtesën me administratë. A e ka deponuar rrëfimin e vet Shaqir Fetai, sepse edhe ky në atë kohë ka qene i angazhuar si strukturë e BFI-së dhe e “El Hilalit” të saj? Apo, në atë kohë Shaqir Fetai kishte të tjera “obligime” dhe, tani, me këtë “thirrje publike” mundohet të fsheh gjurmët e veta! Mbase nuk e ka kryer me besnikëri urdhërin dhe, sot, “qendra” ia kërkon që ta “rikonstruojë” nga e para! T’i mbledh faktet, me sa më shumë emra kontributorësh dhe, të njëjtat t’i deponojë te mentorët e vet të degjenerimit.



