Deri të hënën në mesnatë është përmbyllur numërimi i votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, pas numërimit të fletëvotimeve, në pesë Qendra Komunale të Numërimit.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, qendrat që kanë përfunduar këto aktivitete janë: Junik (6/6), Shtërpcë (17/17), Hani i Elezit (11/11), Partesh (7/7) dhe Mamushë (5/5).
“Procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 32 QKN-të tjera: Deçan, Dragash, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Drenas (Gllogoc), Graçanicë, Istog, Kaçanik, Kamenicë, Klinë, Kllokot, Leposaviq, Lipjan, Malishevë, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Ranillug, Skenderaj, Suharekë, Viti, Zubin Potok dhe Zveçan”, tha ai.
Ndërkaq, Elezi bëri të ditur se në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri është zhvilluar numërimi në 10 vendvotime, por rezultatet nuk kanë mundur të procesohen sipas procedurave për shkak të disa problemeve teknike me rrjetin e internetit.
“Për rrjedhojë, kutitë e votimit janë mbyllur dhe siguruar sipas procedurave përkatëse, ndërsa procesi do të vazhdojë gjatë ditës. Këto vendvotime do të numërohen sërish për procedim të rregullt të rezultateve”, sqaroi Elezi.
Sipas të dhënave deri të hënën në mesnatë (8 qershor 2026, ora 23:59), numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 37 QKN-ve, është 486 nga 2,498 vendvotime, apo 19.46%.
Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/


