“NATO nuk do të përfshihet në një luftë me Rusinë”, kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn duke “shkarkuar” Erdoganin.
“E dimë që turqit vazhdojnë të dërgojnë trupa në kufirin me Sirinë. Turqit dhe rusët luftojnë në shumë pak kilometra distancë me njëri-tjetrin, por Aleanca nuk ka asnjë interes për t’u përfshirë në një luftë me Moskën”, tha Asselborn.
Artikulli 5 i Traktatit të NATO-s parashikon se “një sulm i armatosur kundër një vendi të Aleancës konsiderohet si sulm ndaj gjithë Aleancës dhe në bazë të vetëmbrojtjes së ligjshme njohur nga artikulli 51 i OKB, NATO ka si detyrë të mbrojë aleatin e saj me aksione që do të cilësoje si të nevojshme duke ndërhyrë ushtarakisht për të rivendosur sigurinë”.
Por liderët europianë pas shumë bisedimesh kanë rënë dakord se “Mbrojtja Kolektive” në rast të një lufte mes Rusisë dhe Turqisë nuk do të vihet në funksion.
“Duhet të shmangim mundësinë e futjes në një spirale të dhunshme, pavarësisht situatave”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens, Stoltenberg.
I të njëjtit mendim ka qenë edhe presidenti francez Hollande i cili tha se është e nevojshme shmangia e një përplasje mes Ankarasë dhe Moskës.
Por Moska zyrtare ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së OKB pasi “situata mund të shpëtojë nga duart për shkak të planit të Turqisë për të kryer një mësymje ushtarake në Siri”. /Tema/