Zgjedhja e Hashim Thaçit si President i ri i Kosovës është përcjellë edhe nga mediat e mëdha botërore.
Gjiganti britanik, BBC, shkruan se “Thaçi u zgjodh President në tymin e gazit lotsjellës”.
BBC ka shkruar edhe për përjashtimin e deputetëve të Opozitës pasi fillimisht hodhën gazin ngacmues.
“Jap garanci se do ta ndërtojmë një Kosovë të re, një Kosovë europiane dhe do t’i thellojmë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, citon BBC Thaçin.
Reuters shkruan se “Parlamentarët e Kosovës kanë zgjedhur Presidentin e ri, ndërsa kjo është kundërshtuar me protesta, gaz lotsjellës dhe koktej molotovi”.
Televizioni rus, Russia Today, shkruan se “opozita anti-serbe dështoi në tentativën e saj për të penguar zgjedhjen e Presidentit, ku parlamentarët zgjodhën liderin e katërt të provincës”.
Për zgjedhjen e Thaçit kanë shkruar edhe mediat italiane, ku agjencia e lajmeve Ansa shkruan se, “Kosove, Hashim Thaçi zgjidhet president”.
Ndërsa agjencia turke e lajmeve Anadolu Ajansi shkruan: “Thaçi eshte presidenti i ri i Kosovës”.
ABC News amerikane shkruan se ish-lideri i gueriles shqiptare (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), pritet të zgjedhet Presidenti i ri i Kosovës.
“Thaçi, i cili udhëheqi luftën e suksesshme të Kosovës drejt ndarjes me Serbinë në vitet 1998-99, besohet se i ka votat e nevojshme në Parlamentin e vendit”, shkruan ABC News.