A do të dorëhiqet Basha?

Lulzim Basha tha para gazetarëve këtë të enjte se Partia Demokratike është në proces reflektimi dhe se ai është i gatshëm që të bëjë çdo gjë në interesin më të mirë të partisë.

Kjo përgjigje e Bashës erdhi pasi u pyet nga gazetarët nëse do të dorëhiqet.

Kreu i demokratëve u shpreh se pas procesit të reflektimit secili do të marrë përgjegjësitë që i takon duke filluar nga ai vetë i pari.

Lulzim Basha: Do vazhdojmë me mbledhjen e Kryesisë. Jemi në proces të thellë reflektimi pas të cilit pa diskutim do të marrim përgjegjësitë duke filluar nga unë i pari.

Do të ketë garë për kryetarin?

Lulzim Basha: Nëse unë paragjykoj se çfarë do ndodhë pa folur me bashkëpunëtorët, me njerëzit aktualisht që flasin… Kryetarët e degëve për shembull kanë kontakt me strukturat në bazë. Jemi në proces reflektimi dhe që të bëhet siç duhet, duhet të respektojmë ata njerëz që kanë mendimet e tyre, sjellin mendimet e të tjerëve. Prandaj jemi në një proces, një proces që nisi pas 6 Marsit, një proces që vazhdoi ditën tjetër dhe do të vazhdojë ditët e ardhshme. Pra është një proces i thellë reflektimi me një synim, interesin më të mirë të demokratëve. Pa dallim sepse duket qartë që një nga arsyet kryesore është përçarja dhe konflikti mes nesh.

A jeni i gatshëm për t’u votëbesuar?

Lulzim Basha: Unë jam gati të bëj çdo gjë në interesin më të mirë të PD.

Votëbesim? Do dorëhiqeni zoti Basha përfundimisht?

Lulzim Basha: Unë jam gati të bëj çdo gjë në interesin më të mirë të PD, por duhet të keni pak durim sepse t’i paragjykojmë apo paraprijmë ngjarjeve kur janë në proces reflektimi nuk është as e mençur…

Sa do të zgjasë ky proces reflektimi?

Lulzim Basha: Siç e thashë që ditën pas 6 Marsit kemi mbledhur strukturën e parë sepse ndodhi që e hëna ishte ditë parlamentin. Mblodha Kolegjin e Kryetarëve do të mbledhim edhe Kryesinë. Vetëm Kolegji i Kryetarëve ka kërkuar që të jetë në kontakt me strukturat. Jemi në proces reflektimi. Ju siguroj që demokratët do të marrin në dorë fatin e tyre. PD do të dalë nga ky proces e fortë dhe e bashkuar. Ky është synimi dhe në funksion të saj pa  diskutim që detyra dhe përgjegjësia e parë është e imja dhe unë jam i gatshëm të ndërmarr çdo hap që PD të jetë e fortë, e bashkuar dhe të mos humbim mësimin e 6 Marsit që është domosdoshmëria për të qenë sa më të fortë dhe të bashkuar përpara këtij regjimi. Po ju them që jemi në një proces reflektimi. Sot po diskutohet për Komisionin e Inceneratorëve, shpresoj t’i japin një vëmendje se është bërë gjithë ajo punë dhe e meriton, Partia Demokratike, anëtarët tanë të komisionit, qytetarët e meritojnë transparencën në Komisionin e Inceneratorëve. Ndërkohë po bëhet nami me naftën dhe i pari i qeverisë ia ka mbathur për në Dubai. Të merremi me këto. Procesi i reflektimit nisi dhe do të vazhdojë.

Leave a Reply