Rastet e koronavirusit po rriten përsëri në të gjithë Evropën. Pa veprime urgjente, në Britani mund të arrijnë në 50,000 në ditë nga mesi i tetorit, kanë paralajmëruar zyrtarët e shëndetit publik. Shumë shkencëtarë tani po bëjnë thirrje për masa të mëtejshme, të tilla si një izolim kombëtar afatshkurtër për të kufizuar përhapjen e virusit. Por të tjerët theksojnë se kufizimet shkaktojnë dëmet e veta, duke përfshirë ndikimet në shërbimet e tjera shëndetësore, vështirësitë ekonomike dhe një dëm të konsiderueshëm në shëndetin mendor.
Mijëra njerëz morën pjesë në një protestë në Londër fundjavën e kaluar kundër izolimit dhe masave të lidhura me të. Protesta të ngjashme janë zhvilluar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë. Ndërkohë, një grup shkencëtarësh kanë firmosur një letër të hapur, duke argumentuar në thelb se virusi duhet të lihet që të infektojë nëpër popullata të rinjsh dhe të shëndetshmish.
Impakt shkatërrimtar
Letra e hapur, nga Sunetra Gupta në Universitetin e Oksfordit dhe 31 kolegë të saj, argumenton se bllokimi dhe kufizimet e tjera kanë pasur një ndikim shkatërrues në ofrimin e kujdesit më të gjerë shëndetësor. Fjala vjen, “Cancer Research UK” vlerëson se rreth 350,000 më pak njerëz me simptoma të dyshuara të kancerit, u referuan për një diagnozë midis Prillit dhe Gushtit.
Sidoqoftë, të tjerë argumentojnë se mbingarkimi i shërbimeve shëndetësore që ndodhi në prill nuk ishte vetëm për shkak të epidemisë së koronavirusit, por edhe për shkak të shumë viteve nënfinancimit të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, i cili shpesh e gjen veten të tendosur përtej kapaciteteve të veta, gjatë dimrit.
Autorët e letrës me të drejtë tregojnë se pandemia ka përkeqësuar ndjeshëm shëndetin mendor, megjithëse ankthi dhe depresioni dukej se po rriteshin, para se izolimet të hynin në fuqi. Por pikat e tyre të mëtejshme janë kritikuar nga shkencëtarë të tjerë.
Gupta dhe bashkëautorët e letrës argumentojnë se të rinjve duhet t’u jepen këshilla specifike për moshën, mbi nivelin individual të rrezikut sepse ka shumë më pak të ngjarë të vdesin nga covid-19. Njerëzit e moshuar dhe të dobët duhet të mbrohen, ndërsa të rinjtë dhe të shëndetshmit të vazhdojnë të jetojnë si më parë. “Shqetësimi kryesor është efekti shkatërrues i izolimit dhe kufizimeve”, thotë Gupta.
Megjithëse letra nuk përmend termin “imunitet i tufës”, kjo është ajo që shkrimtarët e konsiderojnë rrugën për t’u ndjekur, thotë Gupta. Lejimi i përhapjes së virusit përmes një grupi me rrezik të ulët është mënyra më e shpejtë për të zhvilluar imunitet në popullatën e gjerë, dhe përfundimisht do të sigurojë mbrojtje për njerëzit e moshuar dhe më të prekshëm, thotë ajo. Pa kufizime, kjo mund të arrihet në rreth tre muaj, thotë Gupta. “Unë kam argumentuar që të ndërtojmë imunitet tek njerëzit që nuk janë në rrezik.”
Shumica e shkencëtarëve nuk pajtohen plotësisht me këtë qasje, duke argumentuar se kjo do të çonte sërish në një numër të madh të vdekjeve, si dhe ekspozonte më shumë individë ndaj rrezikut të “Covid-it të zgjatur”, në të cilin njerëzit vazhdojnë të përjetojnë efekte të sëmundjes, shumë kohë pasi virusi është larguar nga sistemi i tyre. Shumica e shkencëtarëve besojnë se imuniteti i tufës nuk është arritur as në rajone të goditura rëndë nga virusi.
Ndërsa po debatohet pragu për imunitetin e tufës, vlerësimet sugjerojnë se 60 deri në 70 përqind e njerëzve do të duhet të jenë imunë ndaj koronavirusit, për të ndaluar përhapjen e tij. Por studimet sugjerojnë që vetëm 10 deri në 20 përqind e njerëzve në Londër dhe Madrid, për shembull, kanë antitrupa ndaj Covid.
Gupta dhe të tjerët argumentojnë se kjo tashmë mund të jetë e mjaftueshme për imunitetin e tufës, por ato përfaqësojnë një pakicë midis shkencëtarëve. Ata gjithashtu theksojnë që, edhe pa shfaqur antitrupa ndaj koronavirusit, disa individë do të kenë reagime imune që i mbrojnë prej tij. Por është e paqartë se sa do të kenë reagime të tilla dhe sa efektive mund të jenë ato.
“Ne as nuk e dimë nëse imuniteti i tufës është i mundur”, thotë Christina Pagel në University College London. Etika dhe praktikat e mbrojtjes së një pjese të konsiderueshme të popullsisë janë gjithashtu shqetësuese. “Ata njerëz kanë nevojë për kujdes, të kenë familje dhe të punojnë”, thotë Griffin. “Nuk është e realizueshme.”
Pra, si ta frenojmë një goditje të dytë? Zbatimi i masave si distancimi social, larja e duarve, mbajtja e maskave dhe shmangia e mjediseve të brendshme dhe të populluara me njerëz mund të ndihmojë. Kontrolli i përhapjes së virusit nuk ka pse të përfshijë izolime, thotë Pagel. “Ka të bëjë me shtypjen e virusit, përmes testimit dhe gjurmimit”, thotë ajo. “Vendet që e bëjnë këtë mund të hapin gjithçka”. / NS – Bota.al