(Një ligjeratë njerëzore për Shaqir Fetain, i ashtuquajturi kryetar i BFI-së, me qëllim që të heqë dorë nga mania e tij për të manipuluar drejtësinë)
Nga Besnik Torte, jurist
Në një shtet të së drejtës, çdo individ ka të drejtë të ngrejë padi nëse mendon se i është shkelur një e drejtë. Por kur kjo e drejtë keqpërdoret me vetëdije për të ngritur çështje të paqena, kemi të bëjmë me abuzim të procesit gjyqësor, që në terma juridikë mund të përkthehet si:
- keqpërdorim i të drejtës për padi (shpesh i shoqëruar me tentativa për të manipuluar procesin);
- padi të pabazuara në fakte dhe prova;
- synim për të dëmtuar ose diskredituar palën tjetër përmes mjeteve ligjore, ndonëse në mënyrë të padrejtë.
Në raste të caktuara, një sjellje e tillë mund të kualifikohet edhe si shpërdorim i sistemit të drejtësisë apo, nëse qëllimi është të dëmtojë një person tjetër në mënyrë të qëllimshme, edhe si shpifje ose ndjekje e qëllimshme për hakmarrje përmes ligjit (strategji që në gjuhën angleze njihet si lawfare).
Një lider fetar, përveç funksionit të tij doktrinar, është model për besimtarët. Kur ai vepron në mënyra që bien ndesh me të vërtetën, me ndershmërinë dhe me drejtësinë, e gjithë figura e tij shpirtërore komprometohet. Prandaj Shaqir Fetai nuk po ia del të shndërrohet në “figurë karizmatike”!
Kjo sjellje hedh hije të rënda mbi besueshmërinë morale të misionit të tij fetar, mbi integritetin personal që lidhet drejtpërdrejt me fjalët dhe veprat që ai predikon, mbi imazhin e institucionit që përfaqëson, duke dëmtuar komunitetin fetar që lidhet me të.
Në thelb, një lider fetar që vepron në mënyrë manipulimi ligjor, është në kontradiktë me mësimet që ai vetë shpërndan. Kjo mund të shihet si një hipokrizi e institucionalizuar.
Vazhdimi i proceseve të humbura pa ndalur, duke shpenzuar (jo nga xhepi por nga arka e përbashkët) për avokatë dhe duke insistuar në të pavërteta, mund të tregojë një nga këto dy prirje psikologjike:
a) Narcizëm i rrezikshëm: një formë vetë-idolatrie ku individi nuk pranon realitetin dhe mundohet të manipulojë të tjerët për të ruajtur mitin e vet.
b) Deluzion i legjitimitetit: bindja se nëse një padi do pranohet një ditë nga gjykata, edhe gënjeshtra do kthehet në “të vërtetë ligjore”. Kjo është një formë e vetë-mashtrimit, ku e vërteta qëllimisht shtrembërohet për efekt të interesit meskin.
Nëse motivi për këtë vetë-mashtrim është përfitimi material, dëmtimi i një tjetri me qëllim, ose mbulimi i një padrejtësie, atëherë jemi përballë korrupsionit etik dhe shpirtëror. Ndërsa, nëse është një veprim i përsëritur që s’mund të ndalet përkundër humbjeve dhe turpit publik, atëherë mund të kemi të bëjmë me çrregullime të personalitetit, që kërkojnë ndërhyrje psikologjike apo terapeutike. Pra, kjo sjellje është në kufijtë midis degjenerimit moral të qëllimshëm dhe një patologjie personale.
Shtrohet pyetja: cili mund të jetë qëllimi real? Në analizën e kësaj dukurie patjetër që duhet të shihen edhe qëllimet e fshehura, si:
- Shantazh moral dhe publik ndaj palës tjetër;
- Mbajtje e një narrative të rreme për opinionin publik, për të krijuar iluzionin se “po lufton për të drejtën”;
- Instrumentalizim i sistemit të drejtësisë (klaneve të gjykatësve lokal) për të krijuar presion psikologjik ose reputacional.
Dhe, fare në fund, një lider fetar që përdor gjykatat për të përhapur të pavërteta është, në fakt, duke përdorur armët e ligjit për të manipuluar realitetin dhe për të zhgënjyer ata që i besojnë. Kjo është, në vetvete, një formë e maskuar e korrupsionit moral, edhe nëse nuk përfshin ryshfet ose para.
Natyrisht, kjo nuk është vetëm një çështje morale, por edhe një simptomë që tregon për një krizë të identitetit shpirtëror dhe etik të vetë figurës në fjalë.
Një lider fetar, në thelb, duhet të udhëhiqet nga parimet e ndershmërisë, pajtimit dhe kërkimit të së vërtetës. Kur ai zgjedh të zgjidhë mosmarrëveshjet nëpërmjet padive të stisura, e braktis këtë busull dhe, praktikat e ngjashme njohin këtë proces nëpër të cilën kalon kjo dukuri:
- e shndërron ligjin në një instrument force, jo drejtësie;
- e zëvendëson dialogun dhe ndjeshmërinë shpirtërore me mekanizma burokratiko-ligjorë që nuk e shërojnë konfliktin, por e thellojnë atë;
- kërkon fitoren procedurale, jo zgjidhjen e ndershme të problemit.
Kjo tregon se kemi të bëjmë me një moskoherencë të thellë midis misionit dhe sjelljes praktike.
Kur një figurë publike fetare ndihet “i kërcënuar” nga kritika, nga demaskimi i të vërtetave të pakëndshme apo nga humbja e autoritetit në sytë e besimtarëve (si puna e Shaqir Fetait), në vend që të përballet me ndershmëri me gabimet e veta, ai zgjedh rrugën e sulmit përmes gjykatave, krijojn një narrativë “ligjore” për të mbuluar dështimet etike, si dhe përpiqet të fabrikojë të vërtetën përmes vendimeve gjyqësore, duke besuar se “nëse më jep të drejtë gjykata, unë jam moralisht i pastër” – çka është një vetë-mashtrim i rrezikshëm.
Fatkeqësisht, në shumë raste, feja bëhet instrument për interesin personal, dhe jo një shtyllë për vetëformësim moral, ndërsa teologu që jeton me frikën se e vërteta mund t’i rrëzojë imazhin publik, ai detyrimisht do ta zgjedhë rrugën e konfliktit. Proceset gjyqësore i japin atij mundësinë të krijojë alibi për ndjekësit: “unë jam viktimë e një padrejtësie”. Zvarritja e çështjeve në gjykatë krijon një mjegull që mban pezull përgjegjësitë reale, ndërkohë, përdor diskursin fetar si mburojë, për të shmangur kritikën direkte. Pa dyshim, kur një figurë teologjike vepron në kundërshtim me mesazhin që përfaqëson, nuk kemi thjesht një devijim personal – kemi një kërcënim ndaj vetë moralit publik dhe shpirtit të komunitetit.
Pajtimi, ndershmëria dhe dialogu janë thelbi i çdo feje. Kur ato zëvendësohen me manipulim ligjor, atëherë nuk kemi të bëjmë me fe, por me një simulakër (iluzion) të saj që i shërben egos dhe jo Zotit.
Figura publike fetare edhe pse predikon paqe, dashuri dhe mirëkuptim, kur ai zgjedh rrugën e gjyqit me shpresë se do t’ia dalë të manipulojë, ai në fakt nuk i beson fuqisë së pajtimit. Ai duke e ndjekur logjikën e pushtetit dhe dominimit, në fakt ai marrëveshjen do ta konsiderojë si shenjë dobësie dhe gjyqin si mjet për t’u treguar i fortë dhe për hakmarrje. Pra, ai prioritet e ka hakmarrjen dhe jo pajtesën. E për çfarë fugure fetare mund të diskutohet këtu? Pa dyshim, këtu kemi të bëjmë me një “lider fetar” që ka konflikt të brendshëm midis mesazhit të fesë dhe prirjeve të tij egoiste. Ky është rreziku potencial që i kanoset një shoqërie të tërë, fatkeqësisht!