Administrata Trump ndalon Harvardin të pranojë studentë të huaj

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka ndaluar Universitetin e Harvardit të pranojë studentë ndërkombëtarë.

Sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, mijëra studentë të huaj aktualë përballen me kërkesën për t’u transferuar në universitete të tjera ose për të lënë vendin. “Kjo do të thotë se Harvardi nuk mund të regjistrojë më studentë të huaj dhe ata që janë aktualisht të regjistruar duhet të transferohen ose përndryshe humbasin statusin e tyre ligjor”, thuhet në deklaratë.

Agjencia federale deklaroi të enjten se Harvard ka krijuar një atmosferë të pasigurt në kampus duke toleruar qëndrime “anti-amerikane dhe pro-terroriste”, të cilat pretendohet se kanë shënjestruar studentët hebrenj. Për më tepër, ajo akuzoi universitetin për bashkëpunim me Partinë Komuniste Kineze, duke pretenduar se ka ofruar trajnime për anëtarë të një organizate paraushtarake kineze deri në vitin 2024.

Universiteti i Harvardit ka rreth 6,800 studentë ndërkombëtarë të regjistruar në kampusin e tij në Cambridge, Massachusetts, që përbëjnë më shumë se një të katërtën e numrit të përgjithshëm të studentëve. Shumica e tyre janë studentë të studimeve pasuniversitare, të ardhur nga mbi 100 vende të ndryshme.

Harvardi e ka quajtur këtë veprim të administratës “të paligjshëm” dhe ka deklaruar se po punon për të udhëzuar dhe mbështetur studentët e prekur. “Ky veprim hakmarrës rrezikon komunitetin tonë akademik dhe dobëson misionin kërkimor të institucionit”, thuhet në reagimin zyrtar të universitetit.

Përplasjet mes Harvardit dhe administratës Trump janë përshkallëzuar kohët e fundit, sidomos pasi universiteti u shfaq si një nga institucionet e para që kundërshtoi hapur kërkesat e Shtëpisë së Bardhë për reforma në universitetet elitare – të cilat janë kritikuar si qendra të liberalizmit dhe antisemitizmit.

Në këtë kuadër, qeveria federale ka ulur grantet për Harvardin me rreth 2.3 miliardë euro, duke e detyruar institucionin të mbulojë me fonde të veta një pjesë të madhe të aktiviteteve kërkimore.

Leave a Reply