Pas më shumë se dy muajsh (80 ditë), që nga marsi, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka rifilluar shpërndarjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. Përmes pikës kufitare të Kerem Shalom kanë hyrë rreth 90 kamionë me ndihma. Kjo lëvizje shënon një hap të rëndësishëm përballë krizës humanitare, me të cilën hasen çdo ditë civilët në Gaza.
Ndihmat, të cilat përfshijnë miell, ushqime për foshnja dhe furnizime të tjera jetike, u lejuan të kalojnë pas një periudhe të gjatë bllokade dhe ndërprerjeje të bashkëpunimit mes agjencive ndërkombëtare dhe autoriteteve izraelite.
“Ndihma nuk mund të përdoret si mjet politik. Ajo duhet të jetë e pavarur dhe të arrijë tek të gjithë ata që kanë nevojë, pa kushte”, tha një zëdhënës i OKB-së.
Rreth 2.2 milionë banorë të Gazës ndodhen në një gjendje të rëndë humanitare, me mungesë të theksuar ushqimi, uji të pijshëm dhe qasje në kujdes shëndetësor. Sipas OKB-së, më shumë se gjysma e popullsisë kërcënohet nga uria ekstreme dhe kushtet e vështira të jetesës.