Aeroporti i Vlorës, Gjiknuri dhe Ahmetaj: Kuvendi të autorizojë nisjen e negociatave!

Në mbledhjen e sotme të komisionit për ekonominë dhe financat u diskutua projektligji për aeroportin e Vlorës. Të pranishëm në këtë diskutim ishin Ministri i Infrastrukturës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri si dhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj. Sipas ministrit Gjiknuri, kapacitetet e Aeroportit të Rinasit janë të pamjaftueshme në një kohë kur ka dyfishim të kërkesave për fluturime nga vende të ndryshme.

 

“Ngritja e aeroportit të ri në jug është një investim që do ta marrë konsorciumi turk. Do kemi një rritje ekonomike jashtëzakonisht të madhe,” tha Gjiknuri.

 

Po ashtu edhe ministri Ahmetaj tha se aeroporti i Vlorës do t’i hapte rrugën një mundësie të re për fluturimet.

“Do i hapim rrugën një mundësie të re për fluturimet. Është bërë një punë e menduar mirë, grupi që ka sjellë propozimin është një nga kompanitë më të mëdha në botë, që ndërton aeroportin e Stambollit. Hyrja në tregun shqiptar e një aeroporti tjetër do sjellë një liri të konkurrencës në këtë sektor. Aeroporti i Vlorës mendohet që në fillesat e veta, do të arrijë në 600 mijë pasagjerë dhe me atë rritje që duket që ka lëvizshmëria, parashikimi që bën kompania është 7% rritje për vit të numrit të pasagjerëve. Duhet të theksojmë që financimi nuk do të bëhet nga shteti shqiptar, por me fondet e kompanisë.  Për aeroportin mendohet të investohet 100 mln euro,” u shpreh Ahmetaj.

Të dy ministriat thanë se propozimi është mbështetur në kushtetutë nga ana ligjore, dhe po kërkojmë autorizimin në emër të Republikës së Shqipërisë për interesin e vendit që të nisim negociatat.

Leave a Reply