Pas deklaratës së Afrikës së Jugut se Izraeli është duke luftuar ndaj Gazës me “karakter gjenocidal”, gjyqtarët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë hapën dy ditë argumente ligjore. Afrika e Jugut pretendon se Izraeli po shkel detyrime themelore sipas Konventës së Gjenocidit të OKB. Ministri i Drejtësisë i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola tha se palestinezët kanë përjetuar shtypje sistematike dhe dhunë gjatë 76 viteve të fundit.
“Dhuna dhe shkatërrimi në Palestinë dhe Izrael nuk filluan më 7 tetor 2023. Palestinezët kanë përjetuar shtypje sistematike dhe dhunë gjatë 76 viteve të fundit. Më 6 tetor 2023 dhe çdo ditë që nga 7 tetori 2023 në Rripin e Gazës, të paktën që nga viti 2004, Izraeli vazhdon të ushtrojë kontroll mbi hapësirën ajrore, ujërat territoriale, ujin e kalimit të tokës, energjinë elektrike dhe infrastrukturën civile, si dhe mbi funksionet kryesore qeveritare. Reagimi i Izraelit ndaj sulmit të 7 tetorit 2023 ka kaluar këtë vijë dhe ka shkaktuar shkelje të konventës”, deklaroi Ronald Lamola, ministri i drejtesise i Afrikes së Jugut.
Avokatët për Afrikën e Jugut u kërkuan gjyqtarëve në dëgjim të vendosin urdhra detyrues paraprakë ndaj Izraelit, duke përfshirë një ndalim të menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza. Avokatja afrikano-jugore Adila Hassim argumentoi se sjellja e Izraelit shkel nenet 2A, 2B, 2C dhe 2D të konventës.
“Për 96 ditët e fundit, Izraeli i ka nënshtruar Gazës atë që është përshkruar si një nga fushatat më të rënda konvencionale të bombardimeve në historinë e luftës moderne. Palestinezët në Gaza po vriten nga armët izraelite dhe bombat nga ajri, toka dhe deti. Ata janë gjithashtu në rrezik të menjëhershëm të vdekjes nga uria, dehidratimi dhe sëmundjet si pasojë e rrethimit të vazhdueshëm nga Izraeli. Akti i parë gjenocidal i kryer nga Izraeli është vrasja masive e palestinezëve në Gaza, në shkelje të nenit 2A të Konventës së Genocidit”, tha Adila Hassim, avokate e Afrikes së Jugut.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kundërshtoi akuzat.
“Dua të bëj disa pika absolutisht të qarta. Izraeli nuk ka ndërmend të pushtojë përgjithmonë Gazën apo të zhvendosë popullsinë e tij civile. Izraeli po lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze. Dhe ne po e bëjmë këtë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit.
Ndërkohë që çështja është e hapur në Gjykatën e OKB-së, sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit vazhdojnë në Gazë. Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 23,200 palestinezë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi. Gjetja e ushqimit, ujit, ilaçeve dhe mjeteve të punës është bërë një luftë e përditshme për palestinezët që jetojnë në Gaza.