Ahmeti lut Zaevin të merrë pjesë në zgjedhje

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti para pak çastes me një postim në FB, publikisht ka lutur liderit e LSDM-së Zoran Zaev t’i bjerë pishman dhe të merrë pjesë në zgjedhjet e 24 prillit.

Si duket, pasi kjo gjë nuk i shkoi për dore Nikolla Gruevskit, tani këtë “detyrë” ka marrë i pari i integristëve, me qëllim që të legalizohen edhe një palë zgjedhje të vjedhura nga koalicioni VMRO-BDI.

Në vazhdim postimi i plotë i Ali Ahmetit:

“Në verën e vitit të kaluar, katër partitë kryesore të vendit morën përgjegjësinë për zgjidhjen e krizës më të thellë politike në vend duke arritur kështu marrëveshjen e Qershorit / Korrikut me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar.

Palët u dakorduan rreth detyrave që duhet të zbatohen si dhe për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme me qëllim të përmbylljes së krizës. 24 prilli i këtij viti, si datë e mbajtjes së zgjedhjeve, u rinkonfirmua përsëri edhe në takimin e liderëve të mbajtur më 15 dhjetor 2015 kur zgjodhëm edhe anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Zbatimi i marrëveshjes giithësesi se kishte sfidat e veta, por shumica dërmuese e obligimeve tashmë janë realizuar, ndërsa është miratuar edhe plan aksional për reformat urgjente të rekomanduara nga Komisioni Evropian, zbatimi i të cilave do të vijoj edhe pas zgjedhjeve.

Njëkohësisht, jemi zotuar për ta ndihmuar KSHZnë që ti kryej detyrat më kohë si dhe për të vendosur kushte të barabarta mediatike për palët pjesëmarrëse në procesin zgjedhor.

Andaj, ftoj partinë më të madhe opozitare që të mbetet e përkushtuar në realizimin e obligimeve të mbetura nga marrëveshja, përfshirë edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e dakorduara bashkarisht më 24 prill, si dhe të mos nxitojë me vendime të rëndësishme për të ardhmën e vendit.

Siç kam thënë edhe më herët, partitë kryesore bartin përgjegjësi të madhe për shtetin dhe qytetarët andaj dhe duhet të veprojnë guximshëm në përputhje me përgjegjësinë dhe në të mirën e përbashkët duke lënë anash interesat partiake.”- mbaron Ahmeti.

Leave a Reply