Ndërsa ka nisur fushatën sensibilizuese nga më të vegjlit, qeveria thotë se operacioni që synon të ndëshkojë informalitetin në ekonomi do të ketë fillimisht në fokus tatim-paguesit e mëdhenj.
“Bëhet fjalë për sektorët si shitja me shumicë, nafta, mineralet, mallrat e vlerës, hotelieria, shërbimet. Pra, janë rreth 10 nënsektorë që do të skanohen një nga një”, ka sqaruar ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Pas kryeministrit, për të dhënë mesazhin se qytetarët duhet të kërkojnë faturë tatimore për çdo mall apo shërbim që marrin, në terren doli pikërisht ministri Ahmetaj, i cili shprehu edhe një herë vendosmërinë e qeverisë për t’i shkuar deri në fund luftës kundër informalitetit në të gjithë zinxhirin tregtar.
“Në mënyrë që në fund të 300 ditëve të kemi nivel më të lartë deklarimi të xhiros dhe transparencës së bizneseve të mëdha, që do të detyrojnë të gjithë zinxhirin, deri tek shitësit me pakicë, që të përdorin këtë faturë që është institucion”, theksoi Ahmetaj.
Ndërkohë, shumë biznese që kishin mbyllur aktivitetin një ditë më parë duket se i janë rikthyer veprimtarisë normale tregtare. Në dyert e Qendrës së Regjistrimit u dyndën sërish me qindra biznese për t’u regjistruar, ndërsa sipas kompanive të kasave fiskale, numri i shitjeve është shumëfishuar.