Ambasadori Qirjako Qirko në Britani: Të ndalohet fushata e diskriminimit kundër shqiptarëve

Ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Qirjako Qirko, ka folur përpara Komisionit të Punëve të Brendshme në Britani dhe ka kërkuar që të ndalojë “fushata e diskriminimit” kundër shqiptarëve.

“Do doja ta shfrytëzoja këtë mundësi dhe të kërkoja që kjo fushatë diskriminimi kundër shqiptarëve që jetojnë këtu në Mbretërinë e Bashkuar të ndalojë”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, Qirko tha se fëmijët me kombësi shqiptare po bullizohen në shkollat britanike “vetëm sepse janë shqiptarë”. Më tej, ai kërkoi që personat përgjegjës për këtë situatë duhet të kërkojnë falje.

Qirko u shpreh se shqiptarët që shkojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar janë viktima të rrjeteve sociale.

“Unë kam qenë në kontakt me disa persona që kanë pyetur për shërbimet e ambasadës sonë. Dhe disa prej tyre më kanë shpjeguar që po, jemi viktima të TikTok-ut dhe Facebook-ut. Kemi ardhur këtu sepse mendonim se do të ishte e lehtë të nisnim një biznes. Dje po flisja me një zotëri nga jugu i Shqipërisë. Ai drejtonte një lokal të vogël dhe tha se pa në TikTok që kishte një mundësi për të hapur të njëjtin lloj biznesi në Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh Qirko.

Pasi u pyet nga kryetarja e komisionit Diana Johnson, nëse shqiptarët po shkonin me anije të vogla për arsye ekonomie ai tha: Po. Njerëzit po vijnë për të njëjtat arsye si italianët, francezët dhe gjermanët, për të kërkuar mundësi më të mira.

Ai shtoi se shumica e emigrantëve janë të rinj.

“Disa njerëz janë kthyer mbrapsht sepse kanë kuptuar që Mbretëria e Bashkuar nuk është parajsa që mendonin. Përgjithësisht janë të rinj që janë më lehtë të manipulueshëm bazuar në çfarë shohin në rrjetet sociale. Realiteti kur arrijnë këtu është i ndryshëm”, ka thënë ambasadori.

Daily Mail shkruan se ka pasur një rritje të numrit të shqiptarëve që kalojnë kanalin e La Manshit. Përgjatë periudhës Janar-Shtator të këtij viti 3432 shqiptarë kanë pretenduar se janë viktima të skllavërisë moderne, duke i bërë ata shtetasit me numrin më të lartë që përdorin Ligjin për Skllavërinë Moderne. Tre e katërta e këtyre pretendimeve vijnë nga të rritur.

Zyrtarët britanikë, duke përfshirë Agjencinë Kombëtare kundër Krimit, kanë përsëritur shqetësimet se disa emigrantë janë duke shfrytëzuar sistemin duke bërë pretendime të rreme në lidhje me skllavërinë moderne, në mënyrë që të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ditën e sotme Qirko tha:“Duket që personat që arrijnë këtu pretendojnë të jenë viktima të skllavërisë moderne”.

I pyetur nga deputeti Tim Loughton nëse do të ishte më mirë nëse emigrantët shqiptarë që pretendojnë të jenë viktima të skllavërisë të riatdhesoheshin, ambasadori u përgjigj, “po”, përpara se të mbështeste planet për një sistem për riatdhesime më të shpejta. Qirko tha se qeveria shqiptare nuk ka informacione për numrin e personave që shkojnë ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar pasi detaje të tilla nuk janë publikuar nga Ministria e Brendshme e Britanisë.

Qirko hodhi poshtë sugjerimin që Shqipëria duhet të paguajë për strehimin e emigrantëve në Britani dhe refuzoi të komentojë një sugjerim që Mbretëria e Bashkuar duhet të refuzojë automatikisht të gjitha kërkesat për azil nga Shqipëria.

Leave a Reply