Ambasadori turk: Puçistët janë fshehur në Shqipëri, kemi ndërhyrë tek autoritetet shqiptare

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar thotë se pjesëmarrës të grushtit të shtetit në Turqi janë duke u fshehur në Shqipëri.

Bayraktar shprehet se anëtarët e FETO-s (të cilët qeveria turke i bën përgjegjës për puçin), duhet t’a kenë të qartë se Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend i sigurt për ta.

Në një intervistë për “ABC News”, ambasadori turk u shpreh se Shqipëria nuk duhet të kthehet në vend ku strehohen njerëz që janë kërcënim për Turqinë.

Pas tentativës së dështuar për grusht shteti një pjesë e personave të lidhur me FETO–n, të ndierë fajtorë janë larguar nga Turqia me qëllim fshehjen e tyre nga drejtësia. Një pjesë e të larguarve me rrugë tokësore, për shkak të afërsisë gjeografike janë vendosur në shtetet e Ballkanit dhe një pjesë e tyre edhe në Shqipëri.

Ne jemi në ndjekje të tyre. Kemi bërë ndërhyrjet tona pranë autoriteteve shqiptare, madje kemi iniciuar dhe procese ligjore për këtë qëllim duke qenë në vëzhgim të këtyre personave.

Për anëtarët e FETO-s duhet të jetë e qartë se Shqipëria për ta nuk do të jetë kurrë një port i sigurtë.

Ne vijojmë kontaktet tona me autoritetet shqiptare me qëllim që Shqipëria të mos kthehet në një vend ku strehohen dhe strukturohen tradhëtarët e Turqisë dhe elementët të cilët përbëjnë kërcënim për vendin tonë.” – shprehet Bayraktar.

Leave a Reply