Anëtarësimi në UNESCO, Thaçi ndalet edhe në Paris

Zëvendëskryeministri e ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, pas Londrës ka vazhduar vizitën e tij në Francë.

Në Paris, Thaçi ka zhvilluar takime të shumta me ambasadorë të shteteve të ndryshme të botës, që janë anëtare të UNESCO-s.

Ai i ka falënderuar ambasadorët, për përkrahjen që po i japin procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme të OKB-së, teksa ka treguar se edhe Kuvajti e Luksemburgu kanë firmosur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

“Kosova është angazhuar në një fushatë pozitive, sistematike dhe të fokusuar në promovimin e zhvillimit tonë social, kulturor dhe ekonomik, ndërkohë që shumica e shteteve kanë shprehur mirënjohje për qasjen tonë”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Thaçi ka qëndruar edhe në Britaninë e Madhe, ku gjithashtu ka marrë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Leave a Reply