Anglezi qëndroi 1 natë në hotelin e Nikulajt

Dyshime se informoi vrasësin e biznesmenit

Shtetasi anglez i përfshirë në hetimin për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj u strehua 5 ditë në Shqipëri.

Hetimet e policisë kanë zbuluar se ditën e parë të mbërritjes, më 14 Prill, ai ka qëndruar në hotel Coral në pronësi të viktimës, ndërsa 4 netët e tjera në një hotel fare pranë vendit ku u regjistrua ngjarja.

Pikërisht këto të dhëna të përftuara dhe largimi i tij nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit vetëm 5 orë pas ekzekutimit të Nikulajt, kanë shtyrë hetuesit të dyshojnë në përfshirjen e tij në ngjarje.

Nga ana tjetër edhe nga kamerat e sigurisë, rezulton se ky shtetas ka qenë në lokal në momentin e vrasjes, dhe është i pari që largohet me vrap sapo ndodh ngjarja.

Grupi hetimor konsideron me tepër rëndësi deklarimet e këtij personi, ndaj i është drejtuar autoriteteve angleze për ta marrë në pyetje.

Hetuesit kanë dyshime se ai mund të ketë servirur informacione tek atentatori ndaj dëshmia e tij shihet si tepër me vlerë për grupin hetimor.

Me rëndësi për policinë dhe prokurorinë është dhe gjetja e motorit tip skuter që përdori vrasësi. Për të janë ushtruara kontrolle të shumta në qytetin e Lezhës dhe atë të Shkodrës por deri në këtë fazë pa rezultat.

Leave a Reply