Kryetari i Komisionit kombëtar i Katarit për të Drejtat e Njeriut (NHRC) Ali bin Samih el-Merri në një deklaratë për media në kryeqytetin e vendit në Doha, tha se ka një ‘kthesë pozitive’ në bllokadën e vendosur nga Arabia Saudite ndaj Katarit.
Ai tha se ky hap nuk është i mjaftueshëm pasi kjo nuk ndodh edhe me vendet tjera të cilat kanë vendosur bllokadë si Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti dhe Bahreini. Sipas tij, Arabia Saudite ka lejuar që qytetarët e saj që punojnë, banojnë apo kanë prona në Katar, të cilëve më parë u kishte dhënë afat dyjavor të largohen nga ky vend, të qëndrojnë në këtë vend.
Arabia Saudite po ashtu ka lejuar hyrjen e studentëve të saj në Katar si dhe hyrjen e studentëve të Katarit në Arabinë Saudite. Duke shtuar se ky hap pozitiv nuk është “i qartë” Merri thotë se qytetarët e Arabisë Saudite që kanë prona në Katar u lejohet të hyjnë në Katar, kurse qytetarëve të Katarit të cilët kanë prona në Arabinë Saudite nuk u lejohet të hyjnë në këtë vend.