Argjentina, kampione e botës!

Fiton ndaj Francës në finalen e madhe të Katarit

Lionel Messi ngre drejt qiellit trofeun e kupës së botës. Për herë të parë në karrierën e tij të shkëlqyer, me gjasë edhe për herë të fundit, 35-vjeçari, do të çojë këtë trofe në Argjentinën që e priste prej që prej vitit 1986.

Messi mund ta quajë të plotë karrierën e tij futbollistike. Loja, mentaliteti, qasja në çdo ndeshje ishin prej kampioni të vërtetë. Ai mori për dore skuadrën në çdo ndeshje deri në sekondën e fundit të finales. Më 6 golat e shënuar në këtë edicion fitoi edhe trofeun personal të Këpucës së Artë.

Ky trofe është një emocion i veçantë, një krenari deri në mburrje edhe për trajnerin Lionel Scaloni, i cili me një karrierë vetëm 3-vjeçare si trajner i parë, vetëm në një ekip kombëtar dhe asnjë klub, arriti të vendosë në kraharor një yll si kampion bote. Realizoi ëndrrën e mijëra trajnerëve në mbarë botën.

Loja e Argjentinës së tij ishte aq e ndryshme në çdo ndeshje sa nuk i dha mundësinë askujt që ta studionte për t’i bërë ballë në ndeshjet e Botërorit.

Emocione të jashtëzakonshme në stadiumin Lusail që kurorëzuan siç duhet Argjentinën e cila nën drejtimin e Messi bëri një kampionat fantastik.

Shkundja në ndeshjen e parë ndaj Arabisë Saudite u bëri mirë lojtarëve të Scaloni-t. Një pjesë e suksesit i dedikohet edhe kësaj disfate fillestare që u dha mësimin se në finalet e Botërorit askush nuk fal asgjë.

Finalja e Lusail stadium ishte dramatike. Me dy gola të shënuar në pjesën e parë, një nga Messi me 11-metërsh dhe tjetri nga Di Maria, Argjentina dominoi fushën me lojë deri në minutën e 80. Ishte ky momenti kur francezët ndezën motorët e tyre, që duket se po kursenin energjitë për 10 minutat e fundit.

Fillimisht një 11-metërsh që u kthye në gol nga Mbappe dhe një minutë më pas ishte sërish ai që shënoi golin e barazimit. Goditje e fortë psikologjike për Argjentinën që e reflektoi këtë edhe në lojë.

Ndeshja shkoi në shtesa. Raste nga të dy palët në të parën me Argjentinën që kërkoi më shumë. Në të dytën Argjentina po zbriste shumë shpejt drejt portës franceze. Dhe më në fund shpërblimi erdhi sërish nga kapiteni Messi i cili shënoi golin e tretë.

Franca u rikthye fuqishëm në sulm dhe fitoi një 11 metërsh për prekje të topit me dorë. Barazoi sërish Mbappe nga pika e bardhë e penalltisë.

Një nga finalet më të bukura, më të pabesueshme e 22 botërorëve shkoi me penallti.

Nëse Messi ishte hero gjatë ndeshjes, tek penalltitë ishte portieri martinez i cili priti goditjen e Koman ndërsa Tchuameny e dërgoi topin jashtë. Këto ishin dy penalltitë që nuk e lejuan Francën të gëzonte.

E meritoi plotësisht Argjentina. E meritoi Messi që do të mbetet kampion dhe lojtari më i mirë në 10 vitet e fundit.

Leave a Reply