Arrestohen tre “vrasës me pagesë” në Durrës

Policia: Parandalohet një ngjarje kriminale, të ndaluarit me precedentë të theksuar kriminal

Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar nga policia në Durrës, ndërsa janë arrestuar 3 persona të cilët dyshohen se do kryenin një vrasje kundrejt pagesës.

Në pranga ka rënë Aldi Mustafa 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani, Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja” dhe Tahir Gjinika, 33 vjeç, gjithashtu banues në Durrës. Sipas policisë Mustafa dhe Zyka rezultojnë persona me precedent të theksuar kriminal në fushën kundër krimeve ndaj personit.

Ndalimi i tyre është bërë në lagjen nr.15 pasi po qarkullonin me mjetin tip BMW me drejtues 35-vjeçarin Aldi Mustafa. Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ata kanë tentuar të largohen duke goditur mjetin e shërbimit të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion, por nuk kanë mundur pasi janë bllokuar nga mjete dhe shërbime të tjera të Policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, 1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin. Për zbardhjen e plotë të këtij rasti është duke u hetuar dhe nga prokuroria, për veprat penale të armëmbajtjes pa leje.

Leave a Reply