Arrestohet polici që shkaktoi vrasjen e 7-vjeçares në…

AMP: Akuzohet për vrasje të kryer nga pakujdesia

Arjan Tase do të përgjigjet para drejtësisë për “vrasje nga pakujdesia”. Është kjo akuza e ngritur ndaj shefit të policimit në Komunitet, në Policinë e Elbasanit, në lidhje me aksidentin me vdekje që ai shkaktoi në plazhin e Potamit, ku goditi me një gomone një vajzë 7-vjeçare.

Akuza e njoftuar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore parashikon dënimin me gjobë deri në 5 vjet burg. Agjencia sqaroi edhe detaje se si ka ndodhur ngjarja.

Ka qenë ora 14:00 kur Arjan Tase, që ishte me pushime ne Himarë, po drejtonte mjetin lundrues me 2 motorë nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.

Në plazhin e Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, ai ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit.

Agjencia e Mbikqyrjes Policore thotë se kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë qe kishte në bord, Tase ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur dhe 15 metra larg bregut ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues të miturën, e cila ka humbur menjëherë jetën.

Agjencia e Mbikqyrjes Policore tha se po kryen hetime edhe ndaj drejtorit të Drejtorisë së Migracionit në Vlorë, shefit të Sektorit të Kufirit, shefit të Komisariatit të Himarës, shefit të Stacionit të Policisë Kufitare në Dhërmi dhe shefit të Rendit në Himarë, të cilët u pezulluan nga detyra një ditë më parë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Leave a Reply