Shpallet në kërkim Gëzim Çela dhe 2 të tjerë
Shefi i komisariatit të policisë së Laçit, Dritan Metaj u arrestua dhe 3 persona të tjerë u shpallën në kërkim në bazë të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Operacioni “Flakë në det” u shtri në disa qytete të vendit. Në kërkim u shpallën Gëzim Çela, një emër i i njohur për Policinë e Shtetit për çështje të trafikut ndërkombeëtar të drogës, Arben Dalipaj nga Vlora dhe Roland Guza nga Durrësi.
Hetimet që çuan në nxjerrjen e 4 urdhër-arresteve, nisën në muajin Gusht të këtij viti, ku në atë kohë ranë në pranga 6 persona, mes tyre një ish-efektivi i policisë, Arlind Ismailukaj.
Nga Lugina e Patokut, anëtarë të grupit kriminal transportuan kanabis në det, për ta shkëmbyer atë me kokainë me grupet kriminale drejt Italisë.
“Ky mjet lundrues ka kontaktuar në det në një distancë 12 milje një tjetër mjet lundrues tip Velierë, dhe dyshohet se shtetasit në këto 2 mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike. Shtetasit që ndodheshin në velierë, sapo kanë konstatuar se ishin të rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe me një barkë të vogël shpëtimi, kanë tentuar të largohen, por janë kapur në flagrancë”, tha drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme, Policia e Shtetit gjithashtu vuri në sekuestro pasuritë e personave të hetuar.
“Sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasve Gëzim Çelaj, Nderim Çelaj, Arlind Ismailukaj dhe personat e tjerë të lidhur me ta, duke përfshirë shoqërinë tregëtare, automjete, mjete lundruese dhe asete të tjera”.
Në muajin Gusht kur policia ndërhyri bashkë me Guardia di Finanza, sekuestroi 23 kilogramë kanabis, 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, një shumë e madhe parash, në valuta të ndryshme dhe 25 celularë.