Asnjë përgjegjës për çuarjen e Postës së Maqedonisë në buzë të greminës

Posta e Maqedonisë me vite punon me humbje milionëshe! Pasi falimentimi i bankës Eurostandard e bllokoi edhe më keq punën e saj, tani Qeveria po kërkon që Posta të privatizohet ose të bëhet me partneritet publiko-privat.

Po a do të kalojë kaq lehtë kjo punë, pa u përgjigjur dikush për keqmenaxhimin e postës?!

Drejtori Gjeneral, Ejup Rustemi, nuk deshi të përgjigjet. Nga zyra për media e Postës na u lajmëruan dhe na thanë se nuk duan të komentojnë asgjë, as për privatizimin e as për mbajtje të përgjegjësisë. Na orientuan që për çdo pyetje që kemi rreth kësaj, të drejtohemi në Qeveri, sepse ajo është pronarja.

Për përgjegjësi u pyet zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, por ai topin e hedh te organet e drejtësisë.

“Përgjigjen për çdo pyetje për përgjegjësi të atyre që më herët kanë udhëhequr, nuk është përgjegjësi e Qeverisë por e institucioneve të tjera të sistemit, ato janë Prokuroria, gjyqësori, që do të duhej të ndërmerr masa nëse ka momente të caktuara nëse duhet të ndërmerren masa”, deklaroi Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër.

“Prokuroria publike i ndjek informacionet për të cilat tregoni interes. Kur institucionet kompetente, siç është Ministria për Punë të Brendshme ose Policia Financiare, në përputhje me kompetencat e tyre do të dokumentojnë paligjshmëri eventuale që çojnë në vepër të kryer penale, sipas ligjit për procedurë penale Prokuroria do të ndërmarrë ndjekje penale”, thonë nga Prokuroria Themelore.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tregoi se vendimi për privatizimin ose partneritetin publiko-privat të postës, Qeveria e ka sjellë në konsensus mes gjithë partnerëve qeverisës, edhe BDI-së, kuadro të së cilës me vite drejtojnë postën, që nga koha kur në koalicion ishin me OBRM*PDUKM-në. Arsyen e keqmenaxhimit, Bytyqi e sheh pikërisht tek fakti se Posta më shumë i ka shërbyer politikës, se sa qytetarit./TV21/Telegrafi/

Leave a Reply