Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të obliguara formalisht të kërkojnë falje dhe të dënojnë njerëzit që përgatitën atentatin kundër liderit të Koresë Veriore Kim Jong-Un. Kështu thuhet në kumtesën e publikuar nga agjencia veri-koreane e lajmeve CTAK.
Pjong-jang akuzon SHBA dhe Korenë Jugore për tentim të izolimit dhe shuarjes së republikës. Uashingtoni në kumtesë quhet organizator i akteve të çuditshme të terrorizmit shtetëror ndaj Koresë Veriore, “të cilat nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar”.
Ministria për siguri shtetërore më herët kishte bërë të ditur se “do të pastrojë organizatat e inteligjencës së SHBA-ve dhe Koresë Jugore, dhe do të likuidojë të gjithë agjentët armiq të shtetit “deri në njeriun e fundit”.
Kjo ministri po ashtu bën të ditur se ka hetuar operacionin e përbashkët sekret të SHBA-ve dhe Koresë Jugore. Sipas pohimeve të ministrisë, bashkëpunëtorët e shërbimeve të inteligjencës së këtyre shteteve kanë planifikuar atentat në liderin veri-korean me ndihmën e substancave biokimike dhe personave të infiltruar në Korenë Veriore. Shtëpia e Bardhë dhe CIA kanë refuzuar të komentojnë kumtesën e ministrisë.
Situata në lidhje me Korenë Veriore është përkeqësuar në kohët e fundit, si pasojë e testit raketor në këtë shtet dhe ushtrimeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-ve dhe Koresë Jugore në Detin e Japonisë.
Uashingtoni nuk përjashton mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Pjong-jangut, por ka bërë të ditur se prioritet do të jenë presioni ekonomik dhe sanksionet.