Athinë, sulmohen një grup turistësh


Një grup turistësh portugezë është sulmuar gjatë natës së dytë të përleshjeve të dhunshme në lagjen “Eksarqia” të Athinës.

Ngjarja ndodhi në sheshin kryesor të lagjes në kohën që automjeti i turistëve u gjet aksidentalisht në zonë, për shkak të një ngatërrese në aparatin GPS të makinës.

Rreth 300 anarkistë që ndodheshin në atë moment në shesh, sapo kanë parë automjetin e turistëve mes tyre, kanë filluar ta godasin atë me gurë, duke plagosur drejtuesin në kokë dhe duke dëmtuar rëndë automjetin.

Disa fotoreporterë që tentuan t’i vijnë në ndihmë turistëve u goditën me gurë dhe iu dëmtuan kamerat dhe aparatet fotografike.

Policia nuk mundi të bëjë asgjë për të parandaluar ngjarjen. Madje, në kohën që grupi i turistëve mundi të çajë dhe të largohet nga sheshi “Eksarqia”, sërish anarkistët vazhduan sulmin e tyre ndaj forcave të rendit, vetëm pak metra vendit ku ndodheshin turistët e pafat.

Edhe gjatë natës së shkuar, përleshjet në lagjen rebele të Athinës kanë vazhduar me intensitet. Si pasojë e sulmeve të anarkistëve, janë dëmtuar disa makina dhe vitrina dyqanesh.

Autoritetet thanë se kanë ndaluar disa vetë si të dyshuar, por deri tani ende nuk janë ngritur akuza ndaj tyre.

Policia greke vazhdon të mbetet në alarm të kuq edhe gjatë 24 orëve të ardhshme, për shkak të trazirave të pritshme gjatë protestave që do të zhvillohen gjatë së dielës me rastin e përvjetorit të 7 të ekzekutimit të 16-vjeçarit Aleksis Grigoropullos prej një patrulle policie, pikërisht në lagjen “Eksarqia”, në 6 dhejtor 2008.

/ Top Channel

Leave a Reply