Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thirrje të prekurve nga tërmeti: Kontaktoni me shoqërinë e sigurimit brenda afateve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që janë prekur nga tërmeti të kontaktojnë menjëherë me shoqërinë e sigurimit për të njoftuar për dëmtimet e ndodhura.

Përmes një statusi në ‘Facebook’, AMF njofton  të gjithë ata persona që kanë një kontratë për sigurimin e banesës apo pronës nga katastrofat natyrore, si tërmetet, zjarri, përmbytjet, të tregohen të kujdesshëm dhe të njoftojnë siguruesin brenda afateve të caktuara.

Sipas AMF, çdo qytetar që ka një kontratë të tillë duhet të shikojë afatet e përcaktuara në kontratën e sigurimit dhe të paraqesë dëmet e ndodhura që më pas të marrë edhe dëmshpërblimin.

Statusi i plotë:

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dëshiron të informojë të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti i datës 26.11.2019, që kanë një kontratë për sigurimin e banesës apo pronës nga katastrofat natyrore, si tërmetet, zjarri, përmbytjet, që të kontaktojnë menjëherë shoqërinë e sigurimit për të njoftuar për dëmtimet e ndodhura.

Pasi të keni njoftuar zyrtarisht ndodhjen e ngjarjes së siguruar, një ekpert i shoqërisë së sigurimit do paraqitet në banesën/pronën e dëmtuar për të evidentuar dëmet. Bëni kujdes që njoftimi i shoqërisë së sigurimit të kryhet brenda afateve të përcaktuara në kontratën e sigurimit.

Ju mund të kontaktoni shoqërinë e sigurimit të adresën e selisë qendrore apo në zyrat që ajo ka në rrethin ku ndodheni për të njoftuar dëmtimet e ndodhura në banesën apo pronën Tuaj, si dhe për t’u informuar me detaje në lidhje me procedurat dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim.

Çdo shoqëri sigurimi ka një faqe zyrtare interneti, ku ka të publikuar adresat dhe mënyrat e kontaktit. Lista me shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës, të cilat ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë me adresat përkatëse gjendet edhe në faqen e internetit të AMF-së https://amf.gov.al/ts_shoqeri_sigurimi.asp

Nëse keni marrë një kredi bankare Ju mund të kontaktoni dhe bankën për t’u informuar nëse keni siguruar banesën apo pronën Tuaj, si dhe për të kërkuar asistencën që iu nevojitet.

Leave a Reply