Azilkërkuesit, Tahiri: Gjermania të heqë faktorët nxitës

Gjermania duhet të heqë të gjithë faktorët nxitës që kanë shërbyer si motiv për shumë shtetas të kërkojnë azil. Në një dalje për mediat, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tha se i ka kërkuar homologut të tij gjerman, Thomas de Maiziere, klasifikimin e Shqipërisë si vend origjine i sigurtë nga vendet anëtare të BE-së, si një masë frenuese për azilkërkuesit.

 

“Në përmbushje të detyrës time i kam kërkuar në mënyrë intensive homologut gjerman shuarjen e të gjithë faktorëve ftues në vendet pritëse, që kanë shërbyer dhe vijojnë të shërbejnë si motiv që shumë shtetas udhëtojnë për të kërkuar azil, të cilët të nxitur nga këta faktorë në vendin pritës marrin iniciativën për të udhëtuar me këtë qëllim. Shqipëria të klasifikohet në listën e vendeve me origjinë të sigurtë, që do të shkurtonte në mënyrë drastike kërkesat për azil dhe nga ana tjetër do të thotë dekurajim dhe mos mbajtjen gjallë të shpresave të qytetarëve për të kërkuar dhe përfituar azil në mënyrë të paligjshme në Gjermani apo çdo vend tjetër. Të njëjtën gjë i ka kërkuar dhe kryeministri Rama kancelares Merkel dhe ky është një proces që ka nisur në Gjermani. Të rishikohet mënyra, përmasa dhe lloji i ndihmës ditore sociale, gjë që do të dekurajonte iniciativën për azil për të përfituar dhe për aq pak kohë”, tha ministri Tahiri.

 

Tahiri bëri të ditur se shifrat e publikuara të personave që kanë kërkuar azil të paligjshëm në Gjermani nuk përputhen me ato të personave që kanë dalë nga kufiri shqiptar. Kjo sipas ministrit, pasi shumë prej shtetasve që kanë kërkuar azil në Gjermani, janë rezidentë në një vend tjetër të BE-së. Për këtë Tahiri tha se u kërkon vendeve të BE-së, veçanërisht Gjermanisë, që të ndajë të dhëna të plota me vendin tonë për vendorigjinën e të gjithë personave që kërkojnë azil të paligjshëm.

 

Shqipëria vijon zbatimin e një plani rigoroz për të parandaluar dhe frenuar në maksimum mundësinë që shqiptarët të largohen nga vendi për të kërkuar azil në mënyrë të parregullt. Në pikat kufitare shqiptare janë vendosur dhe oficerë të policisë gjermane, në kuadër të programeve FRONTEX, për ekspertizë më të specializuar në kontrollet e daljes së shtetasve për në BE.

 

Krahas kësaj, Tahiri i ka kërkuar edhe opozitës që të jetë më bashkëpunuese në këtë proces. Ai ka bërë thirrje që opozita të përmbahet nga çdo lloj keqpërdorimi për përfitime politike të kësaj çështjeje.

Leave a Reply