Banorët në Paju: Është qytetit im i tensionuar në botë, tensione kanë patur impakt negative në ekonomi
Yoon Seol-Hyun një banor që jeton pranë kufirit mes dy koreve , rregullon bujtinë e tij të zbrazët e cila dikur gumëzhinte nga turistët e shumtë.
56-vjeçari është një nga banorët në Paju që shqetësohet për përshkallëzimin e tensioneve mes dy shteteve.
Zona kufitare është e njohur për turistët vendas dhe të huaj të cilët dëshirojnë të vështrojnë kufirin e shtetit komunist, por Yoon thotë se biznesi i tij në Paju, i cili është rreth 35 km në veri të kryeqytetit Seul, është dëmtuar nga tensionet në rritje.
Yoon Seol-Hyun: Unë mendoj se është qyteti më i tensionuar. Në të kaluarën, edhe kur kishte gjëra lëvizje të automjeteve të blinduara në fusha, njerëzit e konsideronin atë thjesht si stërvitje. Por tani, ka një ndjeshmëri të shtuar dhe shpesh pyesin veten nëse mund të ketë një incident mes dy shteteve.
Kur Koreja e Veriut dërgoi qindra baloma që transportonin mbeturina mbi kufirin në Korenë e Jugut javën e kaluar, kjo lëvizje shkaktoi shqetësim tek banorët në Korenë e Jugut dhe u ndoq me shumë interes nga mediat vendase të cilat pasqyronin në kohë reale çdo zhvillim të fundit.
Koreja e Veriut ka thënë se do të ndalojë dërgimin e balonave, por u zotua se do të rifillojë të bëjë një gjë të tillë sërish nëse Koreja e Jugut provokon sërish.
Tensionet mes dy vendeve po i ndjejnë më shumë banorët.
Yoon Seol-Hyun: Ndikimi ekonomik është i rëndë. Nuk jam vetëm unë, unë thjesht drejtoj një biznes të vogël dhe shumica e njerëzve në rajon janë të përfshirë në bujqësi. Megjithatë, ka shumë njerëz këtu që punojnë në biznese që lidhen me turizmin . Numri i turistëve kohët e fundit është ulur për shkak të tensioneve.
Praktika e dërgimit të fletëpalosjeve kundër Koresë së Veriut ka qenë prej kohësh ka ngjallur debat në Korenë e Jugut, duke shkaktuar tensione midis aktivistëve dhe banorëve në qytetet kufitare ndër vite.
Yoon Seol-Hyun: Grupet që dërgojnë fletëpalosje në Korenë e Veriut mund të largohen, por në fund jemi ne ata që e pësojnë më shumë nga këto veprime. Cilët banorë në Paju do të donin veprime të tilla që përshkallëzojnë tensionet?
Yoon Seol-Hyun: Shpresoj që të mos dërgojnë balona përtej kufirit. Së pari, që nga viti 2018, kishte një atmosferë shumë pozitive; jeta, ekonomia dhe atmosfera këtu po lulëzonin.
No Hyun-Ki, 60 vjeç, një tjetër banor i Paju, është gjithashtu i shqetësuar për zhvillimet e fundit mes dy Koreve.
No Hyun-Ki: Ekziston frika dhe shqetësimi se Koreja e Veriut mund të gjuajë me artileri drejt kësaj zone dhe se predhat e tyre mund të fluturojnë drejt vendit tonë.
Koreja e Veriut u zotua gjatë javës së kaluar se do të përgjigjej “me të njëjtën monedhë” pasi një aktivisti i njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut lëshoi në Korenë e Veriut, balona që mbanin fletëpalosje kundër kësaj të fundit, dhe po ashtu edhe USB me përmbajtje të ndryshme muzikore, televizive, filmike apo letrare të Koresë së Jugut.
Në një deklaratë plot sarkazëm, të publikuar gjatë asaj jave, Kim Yo Jong, motra me shumë pushtet e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cilësoi balonat e mbushura me mbeturina si një “dhuratë të sinqertë” dhe akt “i lirisë të shprehjes” nga ana e popullit të Koresë së Veriut.
Deklarata dukej të ishte një tallje mbi komentet e zyrtarëve të Koresë së Jugut, të cilët kanë thënë se nuk mund të fajësohen për pamundësinë e tyre për të ndaluar aktivistë të Koresë së Jugut që të lëshojnë fletëpalosje në Korenë e Veriut.
Në të ardhmen, Koreja e Veriut do t’i përgjigjet lëshimeve të fletëpalosjeve të tilla me dërgimin e “dhjetëra herë” më shumë balonave në Korenë e Jugut, thuhet në deklaratën e Kim, e cila u bë publike nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.
Lufta e balonave nuk është e re dhe ka vite që ndodh. Qeveria totalitare e Koresë së Veriut është ankuar për vite me radhë për aktivistët e Koresë së Jugut që përhapin materiale kundër Phenianit. Fletëpalosjet shpesh kritikojnë shkeljen e drejtave të njeriut në Koresë e Veriut ose tallen me udhëheqësin e saj Kim Jong Un dhe ndonjëherë dërgohen me sende me vlerë, të tilla si dollarë ose USB.
Koreja e Veriut ka shprehur zemërim veçanërisht ndaj Park Sang-hak, një dezertor koreano-verior dhe aktivist i zëshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i cili në fillim të këtij muaji dërgoi rreth 20 balona të mëdha në Korenë e Veriut. Ishte rasti i parë që Park ndërmori këtë akt pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Koresë së Jugut, në shtator, që shfuqizoi ligjin që ndalonte lëshime të tilla.
Ligji u miratua gjatë udhëheqjes së ish-presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i cili u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet me Korenë e Veriut. Pasardhësi i tij, presidenti konservator Yoon Suk Yeol, ka mbajtur një qëndrim më të fortë kundër Koresë së Veriut.
Edhe pse Koreja e Veriut e dënon lëshimin e fletëpalosjeve, për dekada me radhë ia “ka kthyer nderin” Koresë së Jugut duke shpërndarë atje propagandën e saj.
Fletëpalosjet e Koresë së Veriut ishin pjesë e përpjekjeve prej afro një dekade për të fituar mbështetjen e koreano jugorëve dhe për nxitur mos-besimin e tyre tek qeverisja,
Veprimet janë në përputhje me retorikën gjithnjë e më armiqësore të Koresë së Veriut kundër Koresë së Jugut, që ka nxitur disa analistë të arrijnë në përfundimin se udhëheqësi Kim mund të jetë duke përgatitur një provokim më serioz, duke përfshirë ndoshta një lloj konfrontimi ndërkufitar.
Koreja e Veriut mund ta shohë me vlerë ngritjen e tensioneve përpara zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor në Shtetet e Bashkuara, pjesërisht në mënyrë të tillë që Pheniani të mbetet përparësi e politikës së jashtme amerikane, thotë Jean Lee, një specialist i Koresë në Qendrën Lindje-Perëndim me qendër në Havai.
Të dy Koretë kanë qenë në një gjendje teknike lufte, pasi konflikti i tyre i viteve 1950 përfundoi në një armëpushim dhe jo një traktat paqeje.
Në vitin 2018-2019 Kim Jong mbajti tre takime me Presidentin amerikan Trump, në të cilat u diskutua mbi zgjerimin e arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut. Përpjekjet diplomatike dështuan pasi Shtetet e Bashkuara nuk pranuan propozimin e Phenianit për ta shkatërruar kompleksin kryesor bërthamor, një hap i kufizuar, në këmbim të një lehtësimi të gjerë të sanksioneve amerikane.
Që nga viti 2022, Koreja e Veriut ka kryer mbi 100 prova me raketa, duke nxitur Amerikën dhe Korenë e Jugut që të zgjerojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Koreja e Veriut gjithashtu ka bërë përpjekje për afrim të mëtejshëm me Kinën dhe Rusinë. Vlerësimet mbi arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut janë të ndryshme, duke nisur nga 20-30 bomba deri te mbi 100 të tilla.
Shumë ekspertë të huaj vlerësojnë se Koreja e Veriut ende ka disa pengesa teknologjike në përpjekjet për prodhimin e raketa bërthamore funksionale me rreze të gjatë veprimi, megjithëse ato me rreze të shkurtër veprimi mund të godasin Korenë e Jugut dhe Japoninë.