Me anë të një statusi në “Facebook”, kryetari i PD Lulzim Basha shkruan se shpallja non grata nga SHBA e Vangjush Dakos është një lajm i mirë për Shqipërinë.
Por sipas tij është edhe lajm i keq është që ai nuk ka dalë përpara drejtësisë.
Ai shtoi se duhet larguar Rama që të marrin fund lidhjet e politikës me krimin.
Postimi i Bashës
Është lajm i mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata Vangjush Dakon për “përfshirje në raste të mëdha korrupsioni.” Është lajm i keq që Vangjush Dako nuk ka dalë akoma para drejtësisë për asnjë rast korrupsioni.
Vangjush Dako nuk është vetëm një politikan i korruptuar. Ai është pjesë e krimit te organizuar, në bashkëpunim me të cilin vodhi zgjedhjet për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Si shpërblim, Vamgjush Dako i dorëzoi krimit të organizuar kontrollin ekonomik dhe politik të Bashkisë së Durrësit.
Është lajm i keq që Vangjush Dako ka si mburojë paprekshmërie nga drejtësia kryeministrin e vendit, Edi Rama. Veprat e mëdha të korrupsionit janë bërë nën mbrojtjen, me dijeninë dhe për përfitimin e Edi Ramës. Është Edi Rama ai që e mbron Vangjush Dakon apo siç e quajnë miqtë e tij, bankomatin personal të parave të pista të Edi Ramës.
Përpara ligjit dhe Kushtetutës, Edi Rama zgjodhi gjithmonë Dakon, edhe kur gazeta gjermane BILD tregoi bashkëpunimin direkt me krimin e organizuar për të blerë zgjedhjet në 2017. Edi Rama i mbron kriminelët e tij, brenda dhe jashtë politikës, sepse ai e ka të qartë se as nuk e merr dhe as nuk e mban dot pushtetin pa krimin.
Prandaj, largimi i Edi Ramës është zgjidhja për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin, për të vënë qeverinë në interes të qytetarëve, jo të krimit dhe të oligarkëve me të cilët vjedh çdo ditë shqiptarët.