Basha drejton mbledhjen e grupit: Vendi ka rënë në krim dhe pasiguri

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka drejtuar paraditen e kësaj të enjteje mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, gjatë të cilës ka folur për një rënie të vendit në vorbullën e pasigurisë dhe krimit.

“Vendi ka rënë në duart e qeverisë më të papërgjegjshme, më të korruptuar dhe më të paaftë në histori. Kjo qeveri është një turp për gjendjen ku jeton shumica e qytetarëve”, ka deklaruar Basha.

Ai ka theksuar se, nisma për dekriminalizimin e politikës është zvarritur nga mazhoranca për shkak të lidhjeve të saj me krimin.

“Pa dekriminalizimin e politikës nuk mund të ketë të ardhme evropiane. Dyshja Rama-Meta kandidoi në zgjedhjet lokale elementë të inkriminuar, prandaj vijuan me zvarritjet e tyre”, ka thënë Basha.

Ai ka akuzuar drejtuesit e Policisë së Shtetit se “lanë të lirë deputetin Mark Frroku, i kërkuar nga autoritetet belge, sepse ai po i shërbente dyshes Rama-Meta”.

“Fshehja e kërkesës së Interpolit për deputetin e Ramës, është normale për Ramën. Normale është edhe lirimi i vëllait të tij për të bërë fushatë për dhe me Edi Ramën, për t’u lënë më pas të largohet në drejtim të paditur një ditë para se gjykata ta dënonte me burgim të përjetshëm. Ky është krimi në pushtet, kjo është qeveria që sundon sot në vend”, ka thënë Basha.

Kryetari i opozitës ka akuzuar gjithashtu dyshen Rama-Meta se po vë në rrezik aleancat strategjike të Shqipërisë.

Më tej Basha ka kritikuar edhe ligjin e ri për arsimin e lartë, që sipas tij kërcënon të ardhmen e arsimit. Ai ka bërë përgjegjës për këtë kryeministrin Rama, “që në hartimin e reformës anashkaloi të gjitha grupet e interesit, pedagogë e studentë”.

Ai ka kërkuar llogari nga krerët e koalicionit qeverisës për zhdukjen e 150 milionë dollarë nga doganat, si dhe ka hedhur akuza për përfitime të paligjshme përmes kontrabandës së naftës dhe cigareve.

Leave a Reply